E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Ramës i mbyllet goja, akuzon të tijtë për paaftësi

19-11-2011 / Gazeta 55

PS tenton të uzurpojë me dhunë leniniste Qarkun e Fierit


Kreu i këshillit të qarkut, Artur Shehu: Ftoj palët për bashkëpunim, të ulin tonet politike


Partia Socialiste ka humbur përfundimisht këshillin e qarkut të Fierit, ku nga zgjedhjet e zhvilluara 3 ditë më parë, fitues u shpall kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Artur Shehu. Shehu do të drejtojë këshillin e qarkut për një mandat 4-vjeçar. Por, dje gjatë gjithë ditës u vërejt një fenomen i pazakontë në ambientet rreth ndërtesës së Këshillit të Qarkut, teksa militantë të Partisë Socialiste bllokuan zyrat, duke tensionuar kështu situatën, e cila u normalizua vetëm me ndërhyrjen e forcave të rendit. Artur Shehu duhet të merrte zyrtarisht detyrën dhe të niste punën, por në hyrje të ndërtesës së institucionit është ndeshur me barrikada të militantëve të PS-së, të cilët kundërshtonin zgjedhjen e tij në krye të këshillit të qarkut. Edhe pse këmbëngulja e socialistëve duhet t’i drejtohej anëtarëve të majtë në këshill, të cilët ditën e konstituimit dhe zgjedhjes së kryetarit të këshillit, zgjodhën të bojkotonin mbledhjen. Megjithatë, kryetari i ri i këshillit të Qarkut Fier, Artur Shehu, i bëri ftesë anëtarëve të këshillit të majtë dhe të djathtë, të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve. “Që në mbledhjen e parë, u kam bërë ftesë për bashkëpunim të gjithëve. Anëtarët e PS dhe të PD, apo të çdo force tjetër politike, duhet të ulin tonet politike dhe të pranojnë urën e bashkëpunimit, si kontribut për interesat e qytetarëve”, u shpreh Shehu. Ai garantoi se gjatë drejtimit të këtij institucioni nga ana e tij, do të ketë bashkëpunim institucional me të gjithë aktorët dhe faktorët e zhvillimit dhe motoja e tij e punës do jetë toleranca, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, i mbështetur në ligj. Këshilli i qarkut të Fierit zgjodhi 3 ditë më parë në krye të institucionit, përfaqësuesin e “Aleancës për Qytetarin”, Artur Shehu. Ai fitoi me 54 vota “pro” nga 96 anëtarë që ka Këshilli, ndërsa përfaqësuesit e majtë kishin bojkotuar mbledhjen e konstituimit të këshillit. Nga konstituimi i 12 qarqeve në gjithë vendin, “Aleanca për Qytetarin” ka arritur të fitojë shumicën në 11-të prej tyre, ndërsa vetëm qarku i Gjirokastrës është fituar nga socialistët.


Mbërritja e Ramës në Fier dhe kyçja e gojës


Qarku i Fierit është një nga bastionet historike të socialistëve dhe të majtës politike në tërësi. Edhe pse zgjedhjet e fundit, ato vendore të 8 majit, treguan një luhatje të votës nga e majta drejt të djathtës, e cila u vërejt jo vetëm në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Fierit, por edhe për disa bashki e komuna në të gjithë Qarkun. Kjo bëri që koalicioni “Aleanca për Qytetarin” në rritje numerike votash, të ngushtonte progresivisht mandatet e këshillave të bashkive dhe komunave, duke bërë të mundur arritjen e një pjesëmarrje të rëndësishme në këshillin e qarkut. Kjo u reflektua në votën e shprehur 3 ditë më parë për zgjedhjen e kryetarit të këshillit. Deri këtu s’ka asgjë të paqartë. Por, deputetët e PS, të cilët morën përsipër qarkun e Fierit, duke i premtuar kryesocialistit Edi Rama, marrjen e shumicës në këshill, nga dëshpërimi i humbjes, alarmuan selinë e PS, duke mashtruar dhe spekuluar se në Fier u deformua vota e këshilltarëve. Të mësuar me avazin e justifikimeve banale dhe banditeske, dy ditë më parë, Rama kërcënoi me prishjen e paktit, por dje, me vizitën e tij në Fier jo vetëm që nuk përmendi cenim të paktit PD – PS, por mbylli gojën, ndërsa të tijëve në mbledhjen emergjente s’u la fjalë pa thënë, madje duke i akuzuar për paaftësi dhe shit-blerje. Sidoqoftë, e rëndësishme është që kryesocialisti nuk kërcënoi ligjet dhe reformat për problemet e brendshme të partisë së tij, ndërsa për herë të parë duket se u maturua për krizën e thellë që ndan PS-në nga aktiviteti politik, demokratik. Për të cilën edhe është akuzuar dhe vazhdon të akuzohet nga Mendimi Ndryshe në selinë rozë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›