Berisha largohet drejt Kroacisë, negociatat ngecin te fletët e votimit
Negociatat mes pozitës dhe opozitës me ndërmjetësimin e ambasadorëve dhe kreut të shtetit kanë hyrë në një fazë intensive. Burimet konfidenciale thonë për “Shqip” se parimisht është arritur një lloj mirëkuptimi për hetimin e kutive të materialeve zgjedhore, por nuk ka ende mirëkuptim për fletët e votimit. Teksa sot në Tiranë mbahet mitingu i madh, paralajmëruar nga opozita, Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur të largohet nga Tirana. Ai ka fluturuar që dje drejt Kroacisë, ku do të ndjekë punimet në një takim të BERZH-it.
NegociatatBurimet diplomatike thanë se mazhoranca parimisht ka pranuar mundësinë e kompromisit mbi kutitë e materialeve zgjedhore. Ajo çfarë ka kërkuar Partia Socialiste është garancia se teksa do të hetohen kutitë e materialeve zgjedhore të mos ndërmerren veprime për asgjësimin e fletëve të votimit. Diçka e tillë duket se nuk pranohet nga mazhoranca, e cila pretendon se hapja e kutive të materialeve nënkupton skadimin e afatit ligjor për ruajtjen e fletëve të votimit. Në kutinë e materialeve gjenden procesverbalet e votimit, listat e zgjedhësve dhe të votuesve, lloji i dokumentit të identitetit me të cilin është votuar, vula dhe të gjitha shënimet e bëra nga komisionerët. PS-ja mendon se parimisht komisioni hetimor parlamentar mund të hetojë mbi këto dokumente dhe në rastet e dyshuara mund t’i kërkohet prokurorisë që të bëjë hapjen e kutive ku mbahen fletët e votimit dhe këqyrjen e tyre. Rrjedhimisht nuk do të kishte vlerë pretendimi për mosshkeljen e vendimeve të gjykatave. Por në një situatë të tillë, ku mazhoranca nuk pranon ruajtjen e fletëve të votimit duket se ka presion për arritjen e një zgjidhjeje tjetër. Këtu mund të përfshihet një paketë reformash që përfshin atë zgjedhore, reformën në drejtësi, zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave etj.
KryeministriKryeministri Berisha u nis pasditen e djeshme për në Zagreb, Kroaci, për të marrë pjesë në takimin e 19 vjetor të BERZH-it (Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe në Forumin e Biznesit që do të zhvillohet atje. Në këtë takim të rëndësishëm pritet të marrin pjesë mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët do të marrin pjesë në diskutimet mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse. Gjatë këtij takimi do të merren dhe vendime të rëndësishme mbi strategjitë e viteve në vijim të BERZH-it. Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha do të zhvillojë disa takime të rëndësishme bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në takimin informal, pjesë e aktivitetit, mes 19 vendeve, ndër të cilat Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia etj. Në faqen zyrtare të BERZH-it thuhet se aktiviteti do të jetë dyditor, përkatësisht në datat 14-15 maj 2010. Zyrtarisht nga stafi i Kryeministrit Sali Berisha u tha se shefi i qeverisë do të kthehet në Tiranë në darkën e ditës së sotme.
#