E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së së Drenovës: Policia na dhunoi, më ka thyer këmbën

Korçë Protestuesit e dëmtuar reagojnë ndaj deklaratës së policisë, që mohon dhunën

Kryetari i Partisë Socialiste të Komunës së Drenovës ka pësuar një frakturë në këmbë, si pasojë e përleshjes me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjatë protestës së socialistëve në çërravë. Ai ka marrë një plagë në këmbë, për të cilën ka marrë mjekime pranë spitalit civil të Korçës, ndërkohë që për shkak të plagës dhe frakturës, është detyruar të përdorë patericat. Spiro Shëngjergji akuzon për dhunë dhe plagosje forcat e FNSH-së, të cilët janë konfrontuar me turmën. Kreu i socialistëve të Drenovës, edhe pse nuk ka depozituar një padi, thotë se e ka kaluar natën në spital, për shkak të dëmtimeve në sy dhe frakturës në këmbë. Ai është trajtuar në terapi ditore dhe vazhdon të marrë mjekime për shkak të dëmtimit të shikimit nga përdorimi i lëndës kimike që u është hedhur në sy protestuesve. Si një nga të plagosurit e protestës së opozitës në Korçë, Spiro Shëngjergji thotë se protesta ka nisur në mënyrë paqësore, por më pas gjithçka ka dalë jashtë kontrollit. “Për dëmtimet që më janë shkaktuar, nuk akuzoj policinë e Korçës, por Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me uniforma të zeza. Pasi më hodhën në sy një lëndë që nuk e di se çfarë është, unë humba për momentin shikimin dhe kam ndjerë një goditje në pjesën e këmbës. Fillimisht për shkak të humbjes së shikimit u shkëputa nga turma, për t’u hedhur ujë syve dhe aty ndjeva se nuk ecja dot për shkak të këmbës. Kam shkuar në spital, ku kam marrë mjekim për sytë dhe bëra një grafi, ku rezultoi se kisha frakturë në këmbë. Ma vunë këmbën në allçi dhe tani jam i detyruar të mos lëviz. Këto akte të dhunshme janë vandalizma, por me këto akte nuk besoj se do të ndikohemi që të tërhiqemi nga protestat”, tha Spiro Shëngjergji. Kryetari i PS-së në Komunën Drenovë thotë se vetëm nga zona e tij, mes protestuesve ka pasur tre persona të plagosur dhe me dëmtim të syve, ndërkohë që numri i të dëmtuarve në protesta ka qenë shumë herë më i madh. “Ka pasur shumë persona që kanë përfunduar në spital për shkak të përdorimit të lëndëve kimike dhe më vjen çudi që dhuna e ushtruar ndaj nesh mohohet hapur. Ne nuk do të tërhiqemi, pavarësisht nga dhuna që është ushtruar ndaj nesh”, tha Shëngjergji. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia e nisjes së një tjetër proteste kundër dhunës policore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›