Prefekti i Korçës: Policia skishte pse ushtronte dhunë
Përplasja mes protestuesve socialistë në Korçë dhe forcave të policisë nuk ka kaluar pa reagime. Prefekti i Korçës, Andrea Mano, ka dalë në mbrojtje të forcave policore, duke e konsideruar përplasjen mes palëve si të nxitur dhe të provokuar nga ana e vetë protestuesve që kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë fyer policët. Prefekti Mano ka dalë në mbrojtje të strukturave policore, duke mohuar dhunën e ushtruar dhe përdorimin e lëndëve kimike. Me argumentin se në protestë ka pasur më shumë forca policore se protestues, prefekti i Korçës thotë se nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i dhunës për largimin e turmës nga rruga. “Nuk më rezulton që në protestën e socialistëve të jenë përdorur gaz lotsjellës apo shkopinjtë e gomës. Protesta ishte shumë e kufizuar në numër dhe nuk besoj se aty kanë qenë më shumë se 100 persona, ndërkohë që numri i forcave policore ka qenë shumë më i madh se ai i protestuesve. Për këtë arsye nuk ka pasur një motiv për ta larguar me dhunë turmën”, tha Mano.
#