Konflikti për pronat, shkëmbim zjarri mes dy kushërinjsh
Konfliket për pronat sërish bëhen shkak për përplasje me armë zjarri. Ngjarja këtë herë ka ndodhur në qendër të qytetit të Koplikut, duke krijuar panik mes banorëve. Ndërsa disa automjete që ishin të parkuara në rrugën kryesore janë dëmtuar nga breshëritë e plumbave. Sipas policisë lokale, mësohet se shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur mes David Rragamit dhe Paulin Rragamit, kushërinj me njëri-tjetrin. Të njëjtat burime saktësojnë se David Rragami ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, kur ka qëlluar me pistoletë në drejtim të kushëririt të tij, i cili ecte më këmbë. Fakti që në makinën e shtetasit David Rragami janë gjetur shenja plumbash, policia hedh dyshime se dhe shtetasi Paulin Rragami i është kundërpërgjigjur me armë zjarri sulmit të të afërmit të tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, në kohën kur nxënësit dilnin nga shkolla aty pranë, duke krijuar panik te qytetarët. Menjëherë pas ngjarjes policia lokale është vënë në ndjekje të autorëve, duke mundur të arrestojë në flagrancë dy shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje. Në të njëjtën kohë policia ka sekuestruar automjetin e David Rragamit, në të cilin janë gjetur disa shenja plumbash pistolete. Dy kushërinjtë janë marrë në pyetje nga agjentët e policisë, ndërkohë që burime nga policia bëjnë të ditur për “Shqip” se mes dy të afërmve prej disa kohësh kishte një konflikt për çështje pronësie, i cili degjeneroi me përdorimin e armëve të zjarrit në qendër të qytetit. Ndërkohë, në Rrethin e Malësisë së Madhe konflikti për pronën ka qenë dhe shkaku i pothuajse të gjitha ngjarjeve të rënda të ndodhura në këtë zonë.
#