E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, letër falënderimi nga homologu indian

Kryeministri Berisha ka marrë një letër nga Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh. Nga njoftimi i zyrës së shtypit pranë Kryeministrit, bëhet e ditur se përmes kësaj letre, Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, ka shprehur kënaqësinë e tij për marrëdhëniet në rritje mes Indisë dhe Shqipërisë, si dhe për thellimin e tyre pas hapjes në New Delhi të Misionit Diplomatik shqiptar. Gjithashtu, në këtë letër, Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, ka shprehur vlerësimet e Tij më të larta për figurën e Nënë Terezës, figurë e cila "vazhdon të jetë një simbol i fuqishëm i lidhjes mes dy vendeve". Në letrën e Tij për Kryeministrin Berisha, Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, shprehet: "Ne jemi të lumtur që marrëdhëniet mes Indisë dhe Shqipërisë po njohin rritje. Hapja e Misionit Diplomatik të Shqipërisë në New Delhi dhe vizita e fundit e Ministrit Tuaj të Jashtëm do t‘i japë më shumë nxitje marrëdhënieve tona bilaterale. Nënë Tereza, e cila ishte e etnisë shqiptare, si dhe një shtetase indiane, solli lavdi te ne përmes punës së saj vetëmohuese. Ajo vazhdon të jetë një simbol i fuqishëm i lidhjeve mes dy vendeve tona. Unë gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për t‘u falënderuar Ju për ftesën tuaj të ngrohtë për të vizituar Shqipërinë. E çmoj këtë si një nder të madh për Indinë. Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, sigurinë e konsideratës Time më të lartë dhe Urimet e Mia më të mira për Vitin e Ri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›