Shpërndanin drogë në gjimnaze, arrestohen pesë të rinj
Policia e Fierit ka prangosur pesë persona, banorë të qytetit të Fierit, të cilëve u është gjetur një sasi droge e llojit heroinë. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, operacioni i koduar me emrin "Start 2" ka filluar mesnatën e së premtes dhe ka përfunduar në orën 18:00 të së shtunës, kur dhe është gjetur sasia më e madhe e heroinës. Seksioni i Antidrogës kishte informacion lidhur me një rrjet shpërndarës heroine në mjediset e shkollave të qytetit. Në bazë të këtij informacioni është organizuar operacioni që ka filluar mesnatën e së premtes me arrestimin e 27-vjeçarit Ardian Pepa, banor i lagjes "Konferenca e Pezës". Pas marrjes në pyetje të tij, policia ka shoqëruar paraditen e së shtunës edhe Lusi Hajdarin dhe Florian Hajron, 24 dhe 26 vjeç. Tri personave të parë policia u ka gjetur 18 porcione heroine të ndara në qese të vogla. Sasia e drogës e zënë si fillim shkonte në afro 550 gramë. Vijimi i operacionit përgjatë gjithë ditës së shtunë ka shtuar numrin e personave të implikuar në rrjetin e trafikut të drogës dhe gjatë mbrëmjes së shtunë policia ka vënë në pranga një 75-vjeçar, të cilin urdhri i prokurorit e ka lënë në hetim në gjendje të lirë. Pas të moshuarit, në pranga kanë rënë edhe dy të rinj të tjerë, Todi Conbashi 38 vjeç dhe Bledar Alesio 28 vjeç. Në banesat e dy të arrestuarve të fundit policia ka gjetur 600 gramë heroinë, që e çoi sasinë e lëndës së sekuestruar në 1 kg e 100 gramë. Burimet nga Antidroga e Fierit deklarojnë për gazetën "Shqip" se droga është gjetur në banesa të ndryshme. Të gjithë të arrestuarit bënin pjesë në një rrjet shpërndarës heroine në mjediset shkollore. Sipas policisë, i arrestuari i parë, Ardian Pepa, bënte punën e ndërmjetësit. Ai e siguronte drogën nga Bledar Alesio dhe Todi Conbashi, ndërsa Lusi Hajdari dhe Florian Hajri e blinin drogën tek Ardian Pepa, për ta shitur më pas me pakicë.
Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, tha se "duke marrë shkas fushën ku operonte rrjeti i heroinës, do të sensibilizojë personalisht gjithë stafet pedagogjike dhe drejtuese të shkollave e të arsimit në Fier, si dhe të gjithë nxënësit për të denoncuar çdo rast shpërndarjeje droge".
Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, tha se "duke marrë shkas fushën ku operonte rrjeti i heroinës, do të sensibilizojë personalisht gjithë stafet pedagogjike dhe drejtuese të shkollave e të arsimit në Fier, si dhe të gjithë nxënësit për të denoncuar çdo rast shpërndarjeje droge".