E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dosjet", Topi: Tranzicioni shqiptar i zhgënjeu familjet e mëdha

Konferencën kombëtare "Familjet e Mëdha Fisnike Shqiptare" Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka shfrytëzuar për të vlerësuar dy shtresat më të diskriminuara gjatë regjimit komunist, ish-përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, të cilat u zhgënjyen edhe gjatë 18 viteve të pluralizmit. Ky vlerësim për këto dy shtresa nga kreu i shtetit vjen pak ditë pas miratimit të ligjit për ‘dosjet‘. Ligj i cili ka shkaktuar mjaft debate në rangjet e politikës dhe më gjerë. "Gjatë tranzicionit të gjatë, duke qenë pikërisht këto familje një pjesë e rëndësishme e të persekutuarve politikë dhe ish-pronarëve, u ndeshën jo pak me iluzionin e drejtësisë në raport me të kaluarën, me iluzionin e rikthimit të pronës, me atë përfaqësimit politik dhe të integrimit në shoqëri, duke u bërë në disa raste pre e retorikës politike", është shprehur Presidenti Topi. Sipas tij, familjet e mëdha nuk u bënë të tilla vetëm nga rangu shoqëror, që trashëguan, apo pasuria, por mbi të gjitha për shërbimet, që bënë ndaj vendit në momente të vështira, kur prej tyre kërkohej sakrifica. Ato, tha Topi, i dhanë çdo gjë kombit dhe nuk pretenduan të merrnin nga ai. Për kreun e shtetit, pasardhësit e këtyre familjeve i shohim, te lënë shenjën e devotshmërisë ndaj atdheut dhe kombit kudo ku ata kontribuuan gjatë konsolidimit të shtetit shqiptar të paraluftës. I shohim tha Presidenti në debatin politik, në administratë, në diplomaci e ekonomi, në ushtri e arsim duke sjellë përvojat perëndimore të vendeve ku u shkolluan. Për kreun e shtetit, goditja e elitave tradicionale, politike, intelektuale, ekonomike synonte të prishte komunikimin e popullit shqiptar me pikat e referimit. "Komunistëve u duhej që të shpikej "Armiku i klasës apo i popullit" dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara", theksoi presidenti i vendit gjatë fjalës së tij në konferencën kombëtare të familjeve të mëdha.

Opozita: Berisha "shkriu" Gjykatën Kushtetuese

E majta akuzon Kryeministrin: I kërkoi të mos shqyrtojë "dosjet"

Drejtuesit e partive opozitare njëzëri vijojnë të akuzojnë kreun e qeverisë sa i takon ligjit për "pastërtinë e figurave". Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Ëngjëll Bejtaj, konstatoi se Berisha së fundi deklaroi "shkrirjen" edhe të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet thirrjes që i bëri anëtarëve të këtij institucioni që të mos guxojnë të merren me ligjin e dosjeve, pasi kanë konflikt interesi. PSD gjeti rastin të përshëndesë deklaratën e KE të bërë nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm Terry Davis, ku thuhet se ligji i dosjeve, i cili hyri në fuqi para dy ditësh, nuk përmbush shumë kritere të vendosura nga Këshilli i Evropës. PSD vëren se kundërshtitë e shprehura nga ana e KE për ligjin e dosjeve janë të njëjta me ato të shprehura nga ana e PSD në seancën parlamentare ku u diskutua ky ligj. "Shtrirja tepër e gjerë dhe e papërcaktuar e ligjit për sa i përket kategorisë së zyrtarëve, fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë dhe mungesa e një limiti kohor janë vërejtje të cilat ne, PSD, i kemi bërë prej kohësh dhe njëkohësisht janë thelbi i deklaratës së KE", tha Bejtaj. Miratimi i këtij ligji nga ana e mazhorancës, insistoi ai, është një aventurë e vërtetë politike që e fut Shqipërinë në një konflikt të hapur me demokracinë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me SHBA, BE dhe me institucione të rëndësishme ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e demokracisë. Në vlerësimin e Bejtajt, ligji i dosjeve që me hyrjen e tij në fuqi ka cenuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, ende pa u zhvilluar ato. Kjo përbën edhe një nga kundërshtitë themelore të deklaratës së KE ku thuhet se lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje. I pyetur për deklaratat e Kryeministrit, Erion Braçe, nënkryetari i grupit të PS-së tha se "Nuk do ta komentoja fare këtë deklaratë të tij". Sakaq, kreu i KDK-së së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, vlerësoi se ligji i lustracionit është goditja më e fundit që kjo mazhorancë i bën ligjshmërisë në vend. "Nuk ka asnjë dyshim se ligji për dosjet nuk është bërë për t‘u zbatuar. Jo më kot Bashkimi Evropian, ndër kritikat më serioze për Shqipërinë, ka cilësinë e dobët të ligjeve dhe moszbatueshmërinë e tij", theksoi Haxhinasto. LSI mendon se ky ligj është bërë vetëm për t‘u përdorur në mënyrë selektive nga mazhoranca e sotme si një mjet presioni për të frikësuar e intimiduar prokurorë e gjykatës të cilët po hetojnë aferat korruptive të kësaj qeverie. "Ligji ka kompromentuar qëllimin e tij kryesor, qëllim që LSI e ka mbështetur, që konsiston në masat për të çinstaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar. Ky objektiv nuk arrihet duke vepruar me mentalitetin totalitarist", akuzoi Haxhinasto.

Hapësira

Propozimet e opozitës mund të zëvendësohen

Ligji për "dosjet" krijon

Autoritetin e Kontrollit

Ligji përcakton se për zbatimin e ligjit "për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve" ngrihet Autoriteti i Kontrollit të Figurave. Autoriteti organizohet dhe funksionon në mënyrë të pavarur, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe rregulloren e funksionimit. Ai është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli të pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë. Kjo instancë përbëhet sipas ligjit nga pesë anëtarë, të cilët propozohen si vijon: a) dy përfaqësues të shumicës parlamentare, dy përfaqësues të pakicës parlamentare dhe c) kryetari zgjidhet me konsensus. Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi. Në rast se vendi i një ose më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën dy kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Anëtari i Autoritetit duhet të plotësojë kushtet: a) të jetë shtetas shqiptar, b) të ketë arsimin e lartë juridik, c)të ketë vjetërsi pune jo më pas se 5 vjet, d) të mos jetë i dënuar penalisht, e) të mos jetë shkarkuar nga detyra ose të mos ketë marrë masë disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës, f) të ketë figurë të pastër morale sipas kritereve të këtij ligji.

PDK e PBDK: Ligji për dosjet do përdoret për shantazh

Ligji i "dosjeve", i cili hyri në fuqi pa firmën e Presidentit të Republikës nuk ka gjetur mbështetje në gjithë partitë e koalicionit të djathtë. PBDNJ-ja dhe PDK-ja kanë ritheksuar sërish se ky ligj ka nevojë të rishikohet pasi ka probleme. Për PBDNJ-së ligji është tendencioz dhe duket se është bërë thjesht "për larje hesapesh". Për këtë forcë politike, e cila herë pas here për çështje të rëndësishme ka votuar kundër ose ka abstenuar në Kuvend ashtu siç ndodhi edhe me ligjin e dosjeve, ligjet duhet të realizohen në përputhje me Kushtetutën e të gëzojë vullnetin e simpatinë e shumicës së klasës politike shqiptare. Çuditërisht shprehen drejtuesit e PBDNJ-së, ligji për ‘dosjet‘ është realizuar me ngutje procedurale dhe nga njerëz jokompetentë. Ka gabime të trasha në formë e përmbajtje, gjë që paralajmëron një efekt të kundërt e keqpërdorim të qëllimit fisnik që duhej. Partitë aleate të PD-së shprehen skeptike për sa i takon zbatimit me korrektesë dhe saktësi këtij ligji, duke theksuar se ky ligj do të përkeqësojë gjendjen aktuale në mënyrën siç është shkruar, pasi e lë më gjatë ekzekutimin e tij. Gjithashtu, edhe demokristianët janë shprehur kundër ligjit të dosjeve, duke theksuar se qeveria ka qenë shumë e vonuar me miratimin e tij duke zvarritur për më se tre vjetësh gjithë procedurën dhe në draftin përfundimtar nuk mori parasysh asnjë sugjerim të bërë nga PDK-ja, megjithëse drejtuesit e saj kishin depozituar që në krye të herës një draft konkret për hartimin e këtij ligji. Por pavarësisht këtyre qëndrimeve kundër të aleatëve të saj, por edhe të opozitës, demokratët vijuan qëndrimin e tyre, duke miratuar vetëm me votat e tyre dhe të republikanëve ligjin për dosjet. Ligji, i cili më pas i kaloi për dekretim Presidentit dhe gjatë 20 ditëve që ky ligj qëndroi në Presidencë, PD-ja nëpërmjet strukturave të saj organizoi disa protesta si me studentët ashtu edhe me disa shoqata të përndjekurish politikë duke i kërkuar kreut të shtetit që ta dekretonte ligjin. Por këto presione duket se nuk funksionuan te kreu i shtetit, i cili zgjodhi rrugën e mesme, as nuk e ktheu dhe as nuk e firmosi ligjin, duke e lënë të hynte në fuqi pa firmën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›