E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurmat lodhin trurin dhe ulin përqendrimin në punë

Është bërë e zakonshme për ne të komunikojmë me zë të lartë kudo. Zhurma është bërë refreni ynë i përditshëm. Ajo na ndjek kudo: në shtëpi, shkollë, zyrë e autobus. Të gjithë bërtasim dhe ndoshta tani kjo është kthyer në një situatë krejt normale komunikimi. Edhe kur ulemi në lokale apo restorante, nuk gjejmë qetësi; zhurma që dëgjohet aty nuk të ngjan aspak me muzikën qetësuese që të gjithë presim. Muzika e lartë, shoqëruar nga zhurma, nuk na ndahet as në mëngjes, kur duam të pimë një kafe...

Problemet me dëgjimin

Rreth 120 milionë njerëz në të gjithë botën kanë probleme dhe dëmtime të të dëgjuarit, për shkak të zhurmave të ambientit ku ata jetojnë. Këto janë më të spikatura në ambientet e punës, ku njerëzit kalojnë një pjesë të mirë të kohës. Ky është një nga përfundimet dhënë prej Organizatës Botërore të Shëndetit. Edhe pse kushtet e punës në vendet evropiane nuk kanë të njëjtin etalon krahasimi, pavarësisht kësaj mbetet për të thënë se nivelet e zhurmave janë problem për Shqipërinë, krahasuar me normalet e lejuara në vendet e Evropës.

Socializimi me zhurmat

Duke jetuar çdo ditë në mjedise të zhurmshme, sistemi nervor i njeriut përshtatet dhe bashkëjeton me to. Por edhe pse duket se shëndeti mendor i njeriut nuk ka ndryshuar, truri fillon të shfaqë lodhje të shpeshta, vështirësi në kujtesë dhe funksionim më të ngadaltë. Përveç këtyre, nuk mund të harrojmë edhe rritjen e situatave stresuese, që çojnë në ngadalësim të veprimtarive të përditshme jetësore.

Zhurmat ndikojnë në pagjumësi

"Zhurmat përtej nivelit normal ndikojnë negativisht në jetën tonë. Ato kanë një ndikim aspak të favorshëm në shëndetin fizik dhe mendor. Zhurma e mjedisit është rritur deri në atë pikë, duke i shkaktuar individit tension, nervozizëm dhe ankth. Ky fakt ka ndikuar shumë në uljen e cilësisë së jetës tek individi", thotë psikologia Valbona Habili. Sipas saj, niveli i lartë i zhurmës nuk shkakton vetëm shurdhim, por ka edhe një sërë efektesh të tjera, ndër të cilat mund të përmenden pagjumësia, rritja e presionit të gjakut, si dhe vështirësia në frymëmarrje. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërsëdrejti në produktivitetin e individit. "Një individ i lodhur, i stresuar dhe i tensionuar, mund të jetë pre e drogës, alkoolit ose e një aksidenti", thekson psikologia.

Intervistë, flet specialisti i Shëndetit Publik, Arti Cocolli: Ka mungesa ligjore

Zona e "21 dhjetorit", më "e ndotura" me zhurma

Problemet e zhurmave nuk i hasim vetëm gjatë orarit të paradites apo pasdites. Shpesh herë, shumicën e rasteve gjatë fundjavës, ndjejmë shqetësimin e zhurmave edhe në orët e vona të natës deri në agim. Në një intervistë, specialisti i shëndetit publik, Arti Cocolli, sqaron se pavarësisht evidentimit të zhurmave, aktualisht kemi edhe mungesë të një hapësire ligjore për reduktimin apo përmirësimin e situatës.

A evidentohet gjatë orëve të natës problemi i ndotjes akustike?

Po, problematike ndotja akustike është paraqitur edhe gjatë orëve të natës. Gjatë kësaj periudhe kohore, ndotja është mbi normat e BE-së.

Në cilën zonë të Tiranës haset më shumë ky problem?

Gjatë orëve të natës zona më e ndotur në Tiranë është kryqëzimi te "21 Dhjetori", me 64,6 dB, ndërkohë që normat e lejuara, sipas BE-së, rekomandojnë ndotje deri në 45 dB.

Çfarë pasojash sjellin këto ndotje në jetën tonë të përditshme?

Nervozizëm, deri në shurdhim për zhurma shumë të forta. Këto janë pasojat ekstreme që shkaktojnë zhurmat. Zhurmat padyshim kanë efekte negative mbi shëndetin. Ato që janë tepër të forta dhe të përsëritshme ndikojnë mbi shëndetin mendor dhe shkaktojnë efekte psikofiziologjike. Zhurmat gjatë natës, tashmë të shtuara, ndikojnë në prishjen e gjumit, duke shkaktuar probleme për njerëzit. Zhurmat në shumë raste shkaktojnë edhe efekte mbi sjelljet me fqinjët dhe reagime patologjie. Por më i dukshëm është fakti se për shkak të zhurmave tej normave të lejuara mund të shkaktohet edhe shurdhim.

Cilat janë masat që duhet të merren për parandalimin apo minimizimin e zhurmave?

Sigurisht që kur shfaqet një risk që vë në rrezik shëndetin e popullatës, duhet të merren masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik, masat për reduktimin e zhurmës në burim duhet të merren sa herë që është e qartë se mund të realizohet. Është e nevojshme fusha juridike e zhurmave, pasi mungon një ligj për ndotjen akustike. Duhet të vihet në zbatim një program me faza mbi reduktimin e zhurmës, sidomos në ambiente specifike si shkolla, banesa, spitale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›