E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat ekzekutojnë në pritë 32-vjeçarin

Maskat janë shfaqur në Shkodër, por kësaj radhe jo për të vjedhur, por për të marrë jetën e një personi. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite rreth orës 16:30 në fshatin Vig Mnel të Rrethit të Shkodrës. Paulin Përgjini, 32 vjeç, është gjetur i pajetë nga bashkëfshatarët e tij, i hedhur në anë të një përroi, poshtë rrugës së fshatit.

Policia e Shkodrës tha se 32-vjeçari ishte vrarë në rrugë dhe më pas trupi i tij ishte hedhur në përrua. Burime nga grupi hetimor që është ngritur, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, thanë se viktima është qëlluar me të paktën tetë plumba kallashnikovi në kokë dhe kjo konsiderohet nga hetuesit si një mesazh i lënë prej vrasësve që duan të tregojnë se arsyet për të cilat u krye krimi janë të forta. Burimet nga grupi hetimor thanë gjithashtu se 32-vjeçarit Paulin Përgjini i është bërë pritë në një pjesë të rrugës së fshatit që ishte e fshehur nga pemët. Vendi i ngjarjes nuk mund të shihet prej shtëpive të lagjes "Mali i rrëzuar", por vetëm prej një kishe, që ndodhet 50 metra larg vendit ku u gjet trupi, por ku zakonisht në ditë jave nuk ka njerëz.

Policia ka sekuestruar në vendin ku ka ndodhur krimi nëntë gëzhoja kallashnikovi, ndërsa ka marrë në pyetje disa banorë të shtëpive pranë vendit ku ndodhi ngjarja, të cilët kanë dëgjuar krismat e armëve dhe kanë gjetur pak minuta pas krimit trupin e pajetë të Përgjinit.

Sipas dëshmive të dhëna nga disa banorë, në vendin ku ka ndodhur vrasja janë parë dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikovë. Kjo dëshmi ka përforcuar idenë se viktima mund të ketë pasur një konflikt të fortë dhe hetimet janë shtrirë pikërisht në pistën e ndonjë hakmarrjeje. Deri dje në mbrëmje nuk është mundur të zbulohet ndonjë e dhënë për ndonjë konflikt të viktimës, por fakti që ai ishte divorcuar përpara një viti u ka hapur hetimeve edhe një pistë tjetër, atë të vrasjes për çështje nderi. Ndërkohë, policia tha se 32-vjeçari nuk kishte asnjë precedent penal dhe nuk njihej si person problematik.

Ajo që mund të thonë me siguri hetuesit deri tani është se vrasja është bërë me paramendim dhe kjo mbështetet nga fakti se ekzekutimi është bërë në pritë. Të tjera fakte që përjashtojnë një vrasje të ndodhur për konflikte të momentit janë mënyra e egër e ekzekutimit me tetë plumba në kokë nga një distancë e afërt dhe përpjekjet për të hedhur kufomën në përrua.

Kjo është vrasja e parë që regjistrohet për këtë vit në rrethin e Shkodrës dhe e katërta në të gjithë vendin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›