E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Ramës: Mos lësho mufka për fshatin



Gjatë turit të tij në Velipojë dhe fshtrat përreth, kryeministri Berisha gjeti rastin për të sulmuar sërish kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Duke iu referuar inaugurimit të asfaltimit të disa rrugëve në Xhafzotaj pak ditë më parë, kryeministri theksoi se banorët shprehën kënaqësinë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve, aq sa ndjeheshin si në Tiranë, pavarësisht se kryetari i Bashkisë së Tiranës i cilëson ata banorë të fshatit. “Unë nga këtu i them Kryetarit të Bashkisë, ki kujdes me fshatin sepse ke një borxh të vjetër ndaj tij. Prandaj mos lësho mufka të tjera se nuk është mirë”- tha kryeministri Berisha. Më tej Berisha është pyetur nga gazetarët nëse ky tur inaugurimesh do të konsiderohet si nisje e fushatës elektorale, ai tha se kjo nuk është fushatë elektorale, por vetëm realizim i premtimeve të qeverisë. “Nëse e quani edhe këtë tur inaugurimesh fushatë, atëherë të jetë e qartë se Sali Berisha është gjithë jetën në fushatë, sepse unë premtoj dhe e mbaj fjalën. Kjo nuk është fushatë, por nëse doni mund ta quani të tillë. Motoja ime është premtim, mbajtje fjale dhe inaugurim”, është shprehur Berisha.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›