Berisha mbështet koalicionin me PDU-në, gati përfshirja e çamëve në administratë sipas proporcionalitetit
Kryeministri takohet me Shpëtim Idrizin, kryetar i PDU-së dhe bie dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje kuadër, e cila jo vetëm formalizon koalicionin, por edhe inkurajon ndërmarrjen e një sërë nismash, që komuniteti çam të mund të fitojë pronat e veta në Greqi
Kryeministri Berisha priti dje në takim Kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU) Shpëtim Idrizi i shoqëruar nga deputeti tjetër i kësaj partie Dashamir Tahiri Të dy përfaqësuesit e PDU-së e falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen si dhe i paraqitën programin dhe aktivitetet e kryera që nga formimi i saj. Ata e informuan gjithashtu për përpjekjet që po bëjnë për sensibilizimin dhe zgjidhjen e problemit të çamëve, duke e konsideruar atë si çështje e të drejtave të njeriut ku problemi i pronës është konform të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.
Kryeministri Berisha theksoi se vlerëson qëndrimin e PDU-së në Parlament në mbështetje të mazhorancës. Mazhoranca, theksoi kryeministri, i përmbahet parimit se sot ideali më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian, i integrimit të shqiptarëve në Europë dhe i trajtimit të të gjitha problemeve në përputhje me normat evropiane. Në këtë kontekst, theksoi kryeministri, qeveria mendon se problemi çam nuk përbën kategorikisht një çështje të ndryshimit të kufijve apo pretendimesh territoriale. Problematika e tij duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston midis 2 vendeve tona.
Ndërsa për sa i përket një pike tjetër të ngritur nga përfaqësuesit e PDU-së siç është ai i integrimit të komunitetit çam në administratën shqiptare, Kryeministri Berisha u shpreh i hapur për të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e këtij komuniteti pa asnjë lloj diskriminimi në administratë.
Kryeministri Berisha u shpreh i hapur edhe ndaj kërkesave të tjera të parashtruara nga përfaqësuesit e PDU-së siç ishte ngritja e një komiteti kombëtar të diasporës, ringritja e shtëpisë muze të rilindësit Hasan Tahsini si dhe ndërtimi i varrezës së Kllogjerit në përkujtim të 2700 viktimave çame.
Nga ana e tij, Shpëtim Idrizi i parashtroi kryeministrit pikat kryesore programore të Partisë Drejtësi dhe Unitet, siç është zgjidhja e çështjes çame, krijimi i Komitetit Kombëtar të Diasporës, krijimi i një Komunuellthi Ekonomik Mbarëshqiptar dhe rivendosjen e dinjitetit të popullsisë shqiptare çame në vend, pas diskriminimit të zhvilluar deri në vitet 1990.
Kryeministri Berisha vlerësoi këto pika programore të PDU-së dhe theksoi se çështja çame duhet të trajtohet nga Shqipëria dhe Greqia si një çështje e të drejtave themelore të njeriut, në përputhje me normat evropiane. Dy bashkëbiseduesit ranë dakord se kjo çështje nuk është çështje e pretendimeve territoriale, por një çështje që ka të bëjë tërësisht me të drejtat themelore të njeriut, që janë shkelur në rastin e popullsisë shqiptare të çamërisë. Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi i paraqiti nismat e ndërmarra nga PDU për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si kontraktimi i një studioje ligjore britanike, më e njohura në fushën e së drejtës evropiane për të drejtat e njeriut, për të zgjidhur ligjërisht çështjen çame në gjykatat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi se kjo çështje duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe ku është e sanksionuar zgjidhja e çështjeve pronësore dhe të tjera juridike për popullsitë e dy vendeve.
Gjatë takimit, dy forcat politike ranë dakord në parim për mundësinë e krijimit të Komitetit Kombëtar të Diasporës, që është një ndër shtyllat programore të PDU-së, e cila do të vijë në ndihmë të diasporës shqiptare kudo që ndodhet. Gjithashtu, në rolin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi ranë dakord që të nisin hartimin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave politike në të ardhmen e afërt.
Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha njëherazi kryetar i partisë demokratike dhe përfaqësuesit e PDU-së ranë dakord që të elaborojnë një marrëveshje kuadër për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy forcave politike.