E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investimet në infrastrukturë, përcaktuese në zhvillimin e madh e të shpejtë të turizmit”

Zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Kryeministri flet sërish për turizmin Turizmi i sivjetmë, më masiv se kurrë. Rruga e Kombit ka ndikimin e vet, por edhepërmirësimi i infrastrukturës, e kanë sjellë turizmin në njërin nga zërat kryesorë të buxhetit të shtetit


Investimet në infrastrukturë janë bërë përcaktuese në këtë zhvillim të madh e të shpejtë të turizmit. Këtë kë theksuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha. Në fillim të fjalës së tij, kryeministri përmes shifrash, bëri të ditur fluksin e madh të vizitorëve, në ditët e fundit në Shqipëri ndërsa falënderoi gatishmërinë policisë kufitare dhe doganave, për përballimin e këtij fluksi. “Turizmin, këtë vit ishte më masiv se kurrë. Vetëm në 9 ditët e para të gushtit, tunelin e rrugës Durrës-Morinë e kaluan rreth 15 mijë qytetarë më shumë se gjatë gjithë gushtit të vitit të kaluar. Pra, ka pasur një vërshim të papara dhe unë dua të përgëzoj policinë kufitare, doganat, të gjitha institucionet, agjencitë, qeveritë vendore për përkushtimin serioz që kanë dëshmuar për mbarësinë e këtij sezoni”. Rriten të ardhurat nga turizmi Për kryeministrin Berisha, fluksi i madh i vizitorëve, është pasuar edhe me rritjen e konsideruar, të të ardhurave nga turizmi, të cilat sipas Berishës, këto të ardhura , kalojnë edhe të ardhurat nga eksportet. “Turizmi është shndërruar sot, në degë kryesore të ekonomisë së vendit. Në rast se në 7 muaj pati rreth 1 miliard dollarë eksporte, të ardhurat nga turizmi janë ndjeshëm më të mëdha dhe ato kanë një shpërndarje të shkëlqyer jo vetëm tek ata që presin pushues, por edhe tek një zinxhir i tërë prodhuesish. Faktikisht, kjo bën që Shqipëria të ketë dy periudha kulmore shitjesh, fundvitin dhe gushtin, ku shënohet një rritje e jashtëzakonshme e fuqisë blerëse të vendit”, u shpreh kryeministri. Në vijim të prezantimit të investimeve të qeverisë për turizmin, Berisha, bëri të ditur se, “në tërësi, nga vetë pushuesit dhe turistët ka pasur një vlerësim shumë pozitiv. E vërteta është se në këtë vërshim masiv të turistëve drejt Shqipërisë ka një seri faktorësh pozitivë, por ndër më themelorët është infrastruktura. Investimet në infrastrukturë janë bërë përcaktuese në këtë zhvillim të madh e të shpejtë të turizmit. Vetëm në qarkun e Vlorës janë ndërtuar apo janë në ndërtim mbi 250 kilometra rrugë kombëtare, rurale, dytësore të ndryshme. Nuk them se të gjitha janë në funksion të turizmit, por 90 për qind e tyre u përkasin tërësisht zonave turistike të këtij qarku. Në total ky qark ka marrë 670 milion euro investime”. Ndihmë për komunat e bregdetit Duke vlerësuar faktin se pjesa më e madhe e zonave turistike, në bregdet, gjeografikisht shtrihet në territore komunash, kryeministri vuri theksin në ndihmesën e qeverisë, për komunat, fuqia administrative e të cilave nuk është e nivelit të fuqisë së bashkive. “E gjitha pjesa tjetër e bregut [pa bashkitë] është në territor komunash dhe natyrisht, fuqia administrative e tyre nuk mund të pretendohet të jetë e barabartë me atë të bashkive. Ne duhet t’i ndihmojmë komunat. Ndaj ne duhet të parashikojmë një ndihmë të posaçme, pasi komunat i kanë mjetet më të kufizuara. Sikundër, në tërësi, ato janë të urbanizuara mirë, por nëse rrugët që zbresin drejt detit po përfundojnë në të gjithë territorin, ne duhet të merremi me rrugët brenda fshatit, ku mund të ketë turistë. Gjithashtu investimet në ujësjellës po ecin”, u shpreh më tej kryeministri Berisha. Penalizim për ndotësit e mjedisit Pjesë e fjalës së Berishës, në mbledhjen e qeverisë, ishte dje edhe paralajmërimi për marrje masash ë rënda penalizuese, ndaj ndotësve të mjedisit. “Një qëndrim shumë pozitiv ka qenë ai, i Ministrisë së Mjedisit ndaj individëve, absolutisht, të papërgjegjshëm që i kanë lejuar vetës të derdhin ujërat e zeza në det. Unë ju kërkoj, ministrit të Mjedisit, ministrit të Turizmit, ministrit të Financave, të gjithë rreptësinë e ligjit ndaj tyre. Kjo përbën krim të rëndë kundër mjedisit. Në qoftë se babëzia të shtyn në këtë verbëri, edhe shteti do të tregojë të gjithë forcën e ligjit. Ndaj zoti ministër i Mjedisit keni bërë shumë mirë që i keni evidentuar dhe ia keni dhënë edhe medias, në mënyrë që e gjithë Shqipëria ta marrë vesh se këta janë një grusht shumë i vogël njerëzish të babëzitur, pasishumica kanë bërë përpjekjet më maksimale për ta përballuar këtë fluks të madh turistik. Ndërsa ata, të cilët kanë shkelur çdo kondicion, kanë shkelur rregullat në kundërshtim me çdo standard dhe moral, do të ndëshkohen në mënyrën më të vendosur. E ngrenë biznesin mbi ujërat e zeza, ua japin të tjerëve, vijnë nga ana e anës dhe nuk respektojnë rregullin mbi të cilin kanë ndërtuar. Ndaj t’i marrim këto përgjegjësi, t’i njohim të gjitha problematikat e krijuara, t’i korrigjojmë me vendosmëri”, paralajmëroi kryeministri, duke apeluar njëherazi për vijimësinë e krijimit të një tradite të mirë në turizëm, si një degë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Qëndrimi i PS-së Besnik Bare, i vetmi që s’e sheh bumin turistik Partia Socialiste ende nuk po mësohet me suksesin e qeverisë edhe në “bumin” turistik. Për këtë, kjo parti është sforcuar të hedhë poshtë deklaratat e kryeministrit Sali Berisha. Sërish radhën e ka pasur Besnik Baraj, deputeti socialist, për sforcimin e radhës, në mohimin e sukseseve të qeverisë. Deputeti socialist Besnik Baraj ka deklaruar dje se në një kohë kur kreu i qeverisë flet për zhvillim të turizmit, të ardhurat fiskale për periudhën qershor–korrik të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar tregojnë qartë se nuk ekziston një bum i tillë. Kjo deklaratë e Bares, nuk e kapërceu as dje, kufirin e sajesave dhe trillimeve, për deri sa, ai nuk qe në gjendje, të jepte, jo shifër, por as një burim të besueshëm, për të provuara sajesën dhe trillimin e radhës. “Ndërkohë shifra më e rëndësishme, që kundërshton haptazi deklaratat e Sali Berishës, është rënia drastike me 15 për qind e të ardhurave personale në periudhën qershor–korrik krahasuar me një vit më parë”, tha deputeti socialist Besnik Baraj në një deklaratë të posaçme për mediet, pa mundur të bëjë të ditur, burimin e kësaj shifre të pretenduar si e vërtetë. Batutat e kryeministrit “Rekordin gjithnjë nën atë që realizoj, sepse viti i ardhshëm më pret” “Për ta mbyllur, dua t’ju them dy gjëra, pas lajmit që tashmë ju e dini. Së pari, rekordin që shpall, unë ndjek shembullin e Sergei Bubkës. Të jem i sinqertë me ju, e shpall gjithnjë nën atë që realizoj, sepse viti i ardhshëm më pret. E dyta, gjëja më interesante ishte se kur dola në breg për të marrë medaljen, pashë majtas veten time, pashë djathtas sërish veten time. Kjo më prishi entuziazmin. Në not nuk isha vetëm. Një prej miqve më tha e di si është puna Sali, është e çuditshme, po ty të mban uji. Me tjetrin shkova më thellë. Ai nuk pranoi, duke më thënë se nuk shkonte se mund të kishte peshkaqenë. I thashë, ç’punë ke ti me peshkaqenët, ata kanë punë me kryeministrin, jo me ty”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›