E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka Himarë a rrugë kombëtare që mund t’ia mbajë gjallë Edvinit ëndrrat për kataklizma

As prishja e sezonit turistik s’ka ndodhur e humbja e qetësisë nga ana e strukturave policore. është lexuar vetëm padurimi i një opozite hienash, që s’po di ku të kapet, për të konfirmuar se është ende gjallë

ëndrrat e Edvinit me kataklizma politike po bëhen përherë e më të rënda dhe po konfirmojnë jonormaliteti do të jetë edhe në të ardhmen e afërt një vijë sjelljeje tek opozita. Përpjekja për të shpikur probleme atje ku s’ka, për të cenuar pozicionin e shëndoshë që Shqipëria ka në aleancat ndërkombëtare po bashkëshoqërohet me përdorime të vogla të çfarëdolloj incidenti, në mënyrë që të përdhoset disi sezoni spektakolar turistik i shqiptarëve.
Mediat e Edvinit u ndjenë dje të tradhtuara prej padronit, kur morën vesh për mesazhin që sekretarja e DASH-it i kishte dërguar homologut të saj Ilir Meta, ku konfirmonte edhe nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sapo u shfry tullumbacja e “krizës” që qenkësh përvijuar në marrëdhëniet mes dy vendeve (konfirmuar dje edhe nga vetë kanali televiziv i spekulimit, kur në versionin final të letrës së Filip Gordon, u detyrua të hiqte shtojcat e mëhershme për emërimin e gjykatësve apo pavarësinë e institucioneve), mediat e Edvinit, me një sjellje të mirëfilltë hiene, dalluan problematikën që bartte vrasja e një të riu himarjot pas një grindjeje të ngarkuar me problematikën e marrëdhënieve shqiptaro-greke, dhe nxituan t’i jepnin asaj bash bashin e vendit.
Ato s’u interesuan fare as për sjelljen flagrante haxhiqamiliste e antishtetërore që pasoi incidentin, me bllokimin e rrugës kombëtare, s’u interesuan as për dhunën e ushtruar ndaj grupeve mediatike të pavarura që përcillnin ngjarjen, s’u interesuan as për sjelljen ekzemplare të policisë dhe durimin me të cilën ajo po e përballonte situatën, por u përkujdesën për të rikonfirmuar se në Himarë paska një përplasje me sfond etnik, e se pas prishjes së vitit turistik (e raportuar si një e dhënë e sigurt), do të vinte një sezon tjetër destabilizimi.
Ndërhyrjet pa takt të zëdhënësit të Kishës Ortodokse Shqiptare si dhe të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë ishin veç të dhëna shtesë që opozita e hienave të ndjente se po i vinte një rast tjetër në dorë, për një kalë beteje që do ta mbante politikisht gjallë, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Gjithçka do të jepte opozita e hienave për të gjetur një seri të dytë, që të vazhdojë fiaskon e kutive.
Dje në darkë entuziazmi kishte rënë disi, kur u mor vesh se 99 përqind e protagonistëve të incidentit fatkeq që shkaktuan humbjen e jetës së Apostol Gumit, ishin prapa hekurave, e se një hetim i hollësishëm po shoqëronte edhe ndodhinë e turpshme të bllokimit të rrugës, gjatë orëve që pasuan aksidentin. Partia Socialiste nuk guxoi të shprehej formalisht, megjithatë struktura jozyrtare përsëritën se prishja e sezonit turistik tashmë ishte një e dhënë e konfirmuar e se destabilizimi i situatës në Himarë veç do t’i përkeqësonte këto të dhëna. Gjithçka zhvillohet në një rrafsh virtual, krejt njëlloj si palo-kriza në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, krejt njëlloj si rrënimi i financave shtetërore dhe ardhja e stadit
të mospagesës së rrogave...
Gjithçka u ngjan deklaratave inflacioniste të palo-kasandrave të Edvinit, të cilat po flasin aq shumë sa ndonjëra prej broçkullave rrezikon sipas probabilitetit të kryqëzohet me të
vërtetë me të dhëna reale.
Por keqpërdorimi i djeshëm ishte një provë se opozita e hienave është e gatshme që nga dëshpërimi të shkojë larg, të kapërcejë kufijtë e zhvillimit të një opozicioni brenda rregullave. Por dje, ne patëm shembullin se edhe strukturat shtetërore ishin në lartësinë e duhur për të mos u surprizuar nga këto kapërcime kufijsh e për të shfaqur reagimin proporcional, sipas detyrimit që kanë për zbatimin e rendit kushtetues. është një mesazh që palo-ideologët e opozitës së hienave duhet të dinë ta lexojnë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›