E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbron Kosoven ne OKB

28/09/2009  

Kryeministri Sali Berisha mban fjalim në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara

“Të angazhuar për integrimin në BE”

Kreu i qeverisë thekson se zgjedhjet sipas vëzhguesve përmbushën standardet e OSBE-së

Beqir SINA

Ergys GJENÇAJ

Kryeministri Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka theksuar angazhimin e qeverisë që drejton për të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për të mundësuar integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shqiptare ka nënvizuar faktin se vendi ynë, si një vend evropian, mbetet tërësisht e angazhuar dhe e vendosur të ndërmarrë çdo reformë, çdo vendim dhe çdo gjë tjetër që do të lipsej për anëtarësimin në BE. “Rreth 94% e shqiptareve mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, çka përbën një inkurajim dhe detyrim të madh për qeverinë time për ta avancuar këtë proces me shpejtësi. Këtë vjeshtë ne presim vendime pozitive nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian për statusin e kandidatit dhe për shqyrtimin e kërkesës sonë për liberalizimin e vizave”, - ka deklaruar ai. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është vendi i një demokracie të re, por funksionale. Në këtë pikë ai u ndal në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Duke folur në Asamblenë e OKB-së, ai kujtoi se rreth dy muaj me parë Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë, OSBE–ODIHR-i, u shprehën se ato përmbushën standardet kryesore të OSBE-së dhe meritojnë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv. Kështu, sipas tij qeveria e re e sapoformuar ka përcaktuar si shtylla kryesore të programit të saj ndërtimin e një infrastrukture të re e moderne për vendin, çuarjen e Shqipërisë në moshën dixhitale, reformimin e sistemit të shëndetësisë, arsimit, luftën me përparësi të madhe kundër varfërisë dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë. “Vitin e ardhshëm ne së bashku do të bëjmë një analizë se ku jemi me plotësimin e objektivave të mijëvjeçarit. Shqipëria ka bërë përpjekje për një progres thelbësor në ketë drejtim”, - deklaroi ai. Në këtë fjalim Kryeministri Berisha u përqendrua në mbështetjen e Shqipërisë dhe për kontributin e saj për paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s e më gjerë. Ndërkohë, duke folur për krizën ekonomike, Berisha tha se ekonomia shqipëre arriti ta përballojë atë falë faktorëve të ndryshëm. Ai evidentoi reformat e thella fiskale të ndërmarra nga qeveria dhe investimet e mëdha në infrastrukturës.

Pavarësia e Kosovës

Duke folur për situatën e Kosovë dhe ecurinë e njohjes së shtetit të ri, Kryeministri Sali Berisha tha se shteti më i ri i Ballkanit është shndërruar në një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës që të njohin pavarësinë e saj, pasi ajo është në të mirë të Ballkanit, rajonit dhe më gjerë. “Më duhet të theksoj këtu se themelimi i shtetit të pavarur të Kosovës, ndonëse ka kaluar vetëm një periudhë kohore e shkurtër, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit. Janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, janë ndërprerë largimet e serbëve nga Kosova dhe ka filluar kthimi i tyre”, - tha Berisha.

Situata ekonomike

Kreu i qeverisë shqiptare ka bërë një ekspoze të situatës së vendit tonë pas krizës ekonomike globale. Ai u ka bërë thirrje vendeve pjesëmarrëse në sesionin e OKB-së që të investojnë në Shqipëri, pasi ajo përbën një resurs të vërtetë për investimet e huaja. “Shqipëria është e hapur për investime”, - është shprehur Berisha në fjalën e tij. Sipas kryeministrit, “Shqipëria është e hapur ndaj formave të reja të prodhimit të energjisë”. Ai theksoi se në një hark kohor trevjeçar rreth 400 000 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria, ndërsa varfëria ekstreme pësoi një ulje prej rreth 70%. “U krijuan dhjetëra e mijëra vende të reja pune, u dyfishua numri i studentëve si dhe ra në mënyrë të ndjeshme vdekshmëria foshnjore”, - tha Berisha.

Incident diplomatik për Kosovën

Delegacioni shqiptar përplaset me atë serb

Gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur kryeministri Sali Berisha po mbante fjalimin në emër të Shqipërisë, delegacioni shqiptar, në përputhje me procedurat e Sekretariatit të OKB-së, kishte ftuar që të ndiqte fjalimin e kryeministrit Berisha ministrin e Jashtëm të Kosovës Skënder Hyseni dhe stafin e tij. Nga burime diplomatike mësohet se delegacioni serb protestoi për këtë fakt dhe kërkoi nga protokolli i Sekretariatit të OKB-së që t’i nxirrte ata jashtë me pretendimin se ministri i Jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij nuk duhej të qëndronin aty. Delegacioni shqiptar kundërshtoi vendosmërisht këtë pretendim të delegacionit serb me argumentin se të gjithë ata që janë të ftuar nga delegacioni shqiptar kanë të drejtë të jenë aty. Sekretariati i OKB-së miratoi qëndrimin e delegacionit shqiptar dhe vendosi që ministri i Jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij të qëndronin në sallën e OKB-së për të ndjekur fjalën e kryeministrit të Shqipërisë. Pas kësaj përplasjeje diplomatike në Nju-Jork, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ka bërë të ditur se Beogradi ka parashtruar një notë proteste për shkak të vizitës së presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu në OKB. “Kemi dorëzuar një notë të ashpër proteste në Sekretariatin e OKB-së dhe kemi kërkuar hetimin urgjent se si ka ndodhur që është realizuar kjo vizitë e Sejdiut”, - ka thënë Jeremiç. Për ministrin e Jashtëm të Serbisë presidenti Sejdiu dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës janë qytetarë privatë dhe atyre nuk mund t’u lejohet të jenë pjesëmarrës në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›