Berisha mbron sërish Kastriot Islamin dhe shton: Aleatët më kanë dhënë 11 deputetë në zgjedhjet e vitit 2009
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar që të mbrojë praninë në listat e tij të deputetëve socialistë, ku spikat Kastriot Islami.
Berisha tha në mbledhjen e strukturave të PD për Tiranën, se Islami dhe deputetët Kadeli e Dogjani nuk lejuan që të rrëzohej qeveria dy muaj përpara zgjedhjeve.
Na janë bashkangjitur në listat tona deputetë, të cilët në moment kritik për vendin, dhe ju jam jashtëzakonisht mirënjohës, që pa asnjë lloj kushti përveç përgjegjësisë që ndien, bënë të dështojë një projekt i turpshëm, një projekt që synonte përmbysjen e një qeverie dy muaj para zgjedhjeve, futjen n렠 një kaos, sepse Kushtetuta e Shqipërisë, për këta zotërinj që nuk marrin përsipër as për ta lexuar, nuk parashikon qeveri teknike. Kushtetuta e Shqipëri ka qeveri, ka mazhorancë politike, ky është përcaktimi i saj. Ndaj dhe jemi shumë të kënaqur dhe shumë mirënjohës për kontributin e tyre, janë njerëz me një karriere politike dhe para hyrjes në parlament të suksesshme. Kanë fluksin e tyre, sepse në fund të fundit ishin vlerat që i dallojnë. Çfarë e shtynte z. Islami të mbronte votimin e tre ligjeve, e shtynte rëndësia që kishin ato, dhe ai mund të zgjidhte dhe të thoshte të mos votohen ato, por u bë avokat i votimit të tyre dhe natyrisht u zgjuan reaksionet, tha Berisha.
Kryeministri tha se ka futur krerët e partive aleate në lista pasi në zgjedhjet e vitit 2009, aleatët i kanë dhënë 11 deputetë.
Kjo formë është forma më e ndershme dhe më organike e koalicionit. Unë e kuptoj. E kuptoj që ka njerëz zemërthyer, se kanë mbetur jo në pozicionet që e meritojnë, por kanë një gjë që shqiptarët duhet ta dinë, që demokratët duhet ta dinë. Demokratët në vitin 2009 kanë marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve dhe kjo vetëm për shkak të sistemit. Absolutisht po, sepse në rast se vota do të kishte të njëjtën peshë si për Sali Berishën ashtu edhe për Dash Shehun, Dash Shehu me koalicionin e tij mund të fuste tre deputetë. Fatmir Mediu mund të fuste tre deputetë dhe ca më shumë. Ky sistem, që e nisëm për mirë dhe tani e qortojnë, që në fakt duhet modifikuar, ose të bëhet i pastër proporcional, ose të japë mazhorancë me ligj. Të japë mazhorancë me ligj, siç jepet në Spanjë ku e kemi marrë, siç jepet në Greqi ku është i ngjashëm, ose të shndërrohet i pastër proporcional dhe në këtë mënyrë je në modelin e vendeve të veriut dhe jo vetëm të veriut, tha Berisha./ep