E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mburret me ekonominë, minatorët në skamje dhe uri

Evropa entuziazmohet për rritjen tonë ekonomike. Me këto fjalë po i ngop shqiptarët çdo ditë Kryeministri ynë, kohët e fundit. Kjo është përgjigjja që merr kur e pyet për nivelin e varfërisë në vend. Por, këto deklarata nuk mjaftojnë që të mbushin frigoriferët bosh të familjeve të minatorëve të Bulqizës, të cilët nuk reshtin së dali në greva, dhe në greva urie madje, vetëm e vetëm që Kryeministri shqiptar t‘i dëgjojë. Gjatë muajit të fundit, kemi dëgjuar disa herë prej tij se lexon çdo mesazh, komunikon me qytetarët, ndërkohë që minatorët hyjnë në greva urie, vetëm e vetëm për të takuar Kryeministrin Sali Berisha. Me këta minatorë, me të cilët dikur mburrej me mbështetjen e tyre për të rrëzuar komunizmin (i ka bërë edhe "Pishtarë të Demokracisë"). Por, Kryeministri ynë as nuk e di se ku punojnë e jetojnë këta pishtarë të tij. Sapo kalon Qafën e Buallit, rrugës nacionale Burrel-Peshkopi, të shfaqet qyteti i Bulqizës. Qyteti i minatorëve. Kjo minierë, më e madhja në vendin tonë, ka filluar nxjerrjen e mineralit që prej vitit 1924. Qyteti i Bulqizës është qyteti më i pasur dhe më i varfër i Republikës. Më i pasuri për ato që i ka dhënë natyra dhe me i varfri për nga jeta që bëjnë banorët. Sot në këtë qytet jetojnë rreth 13000 banorë. I vetmi burim jetese për të gjithë është miniera e kromit, më e madhja e vendit tonë. Vitet fundit, kjo minierë u është dhënë me koncesion firmave private. Aksidentet në punë këto vite janë bërë "modë", ku, herë pas here humbasin jetë minatorësh. Me gjithë vështirësitë që ka puna e minatorit, ajo është e papërballueshme dhe për pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre. Ne hymë në familjen e një minatori, në shtëpinë e Selman Karajt. Ishte i gëzuar që atë ditë kishte siguruar 50 kg miell dhe kishte marrë dhe dy kile mish me listë te kasapi i qytetit, pas lutjeve të fëmijëve për mish. Në këtë familje kishte vetëm gjysmë kile fasule, gjizë dhe disa kokrra domate. Prindërit përpiqen që t‘u sigurojnë fëmijëve të tyre bukën, ushqimeve të tjera as që ua dinë emrin. Njeriu më i kërkuar i këtij qyteti ishte kasapi, Fadil Lika. "Gjysma e qytetit merr mish me listë tek unë. Kjo punë është prej 15-16 vjetësh, listat nuk kanë mbaruar". Në Bulqizë të rriturit dhe fëmijët sytë i kanë nga kromi. Të gjithë mundohen të nxjerrin mineral që të sigurojnë jetën. Fëmijë të vegjël me kova të sajuara punojnë të stoku i minierës (minerali skarco, që hidhet jashtë me mbeturinat e minierës). Një vajzë e vogël, e cila nuk ka arritur moshën për në shkollë, Elverina, së bashku me të vëllain mbledhin mineral kromi te grumbulli i stokut jashtë minierës.

Janë shumë të vegjël, por duart i kanë të çara e të zeza. Çdo ditë, ata i gjen mbi ndonjë stok kromi për të mbledhur disa copa që më pas i shesin dhe nuk fitojnë më shumë se 500 lekë, të cilat ua japin prindërve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›