Ndahen detyrat për rivlerësimin e titujve
Procesi i rivlerësimit të titujve do të kryhet përmes dixhitalizimit, ndërsa prefektëve do t‘u kërkohet të mbajnë një qëndrim transparent. Ligji "Për verifikimin e titujve të pronësisë", ka mbledhur dje në një tryezë, Kryeministrin Berisha dhe prefektët e qarqeve, të cilët kanë diskutuar rreth sistemit të ri që pritet të zbatohet së shpejti. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë, e ka cilësuar situatën e titujve të pronësisë si tepër kaotike. "Kaosi për titujt është i lidhur me falsifikimin gjigant që u është bërë titujve, para së gjithash nga njerëz të pushtetit. Mëkatarët e mëdhenj janë pushtetarët e të gjitha niveleve, të cilët bënë çdo gjë për t‘u titulluar për vete, diku me 5 apo me 10 hektarë, për raste të caktuara edhe me 100 hektarë toka që s‘u kanë përkitur kurrë. Mëkatarët e titujve janë pushtetarët e të gjitha niveleve, të cilët shitën në kundërshtim me të gjitha ligjet toka për të mbushur xhepat e tyre", tha Berisha. Procesi i ri synon të rishikojë me "lupën" e këtij ligji të gjitha abuzimet që kanë ndodhur me ligjin 7501 dhe me ligje të tjera, në ndarjen e tokës.