E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qumështi kinez "Panda", i ndotur? Sot vjen përgjigjja nga Italia

Përgjigjja e analizave të qumështit koncentrat "Panda", prodhim kinez, pritet të mbërrijë sot në Ministrinë e Bujqësisë. Kampionet e këtij qumështi, i cili në disa vende ka rezultuar me elementë të rrezikshëm për shëndetin, u dërguan për t‘u ekzaminuar në Itali, në një nga laboratorët e referencës të certifikuar nga Bashkimi Evropian. Është pikërisht kjo përgjigje ajo që do të vlerësojë përmbajtjen ose jo të melaminës (kimikat industrial) në këtë produkt.

Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se pas alarmit të ngritur për këtë produkt prezent edhe në tregun shqiptar, u dërguan mostra të tij për ekzaminime në përputhje me standardet në vendin fqinj, Itali. Dhe pikërisht janë dërguar kanoçet prej 170 gr., i vetmi lloj që gjendet në tregun shqiptar, pasi mësohet se është vetëm një kompani private, ajo që kryen importin e këtij produkti.

Ndërkohë që, mësohet se sasia në total e qumështit koncentrat "Panda", që importohet në Shqipëri, arrin gjithsej 139 tonë në vit. Ky produkt prodhohet në një fabrikë kineze me etiketa shqiptare, në përputhje me kontratën paraprake të importuesit shqiptar dhe autoritetit prodhues. E gjithë kjo sasi dërgohet në Shqipëri përmes tre ngarkesave. E fundit që ka mbërritur në Portin e Durrësit, shprehen përfaqësuesit e dikasterit të Bujqësisë, është ajo e datës 25 shtator, e cila është bllokuar. Sipas kësaj logjike, pothuajse dy të tretat e qumështit kinez koncentrat "panda" janë konsumuar ose gjenden ende në tregjet vendase.

Nga ana tjetër, nuk janë dërguar për ekzaminime mostra të tjera të produkteve kineze që kanë në bazë të tyre qumështin, si çokollatat, biskotat e llojeve të ndryshme apo ëmbëlsira të tjera të gjithëllojshme që kanë pushtuar tregun vendas dhe kanë si konsumatorë kryesorë fëmijët.

Pas përgjigjes së analizave që pritet të zbardhet sot, nëse këto produkte do të rezultojnë me përmbajtje të lartë të melaminës atëherë ato jo vetëm që do të zhduken nga tregu, por edhe do të asgjësohen. Ka qenë kjo pjesë e urdhrit të nxjerrë nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, pas situatës alarmante të krijuar lidhur me këtë çështje.

Qumështi kinez dhe nënproduktet e tij janë vendosur në krye të "listave të zeza" të thuajse të gjitha vendeve në botë. Kjo për shkak të vdekjes së disa fëmijëve kinezë dhe problemeve shëndetësore që iu shkaktuan me mijëra të tjerëve nga konsumimi i qumështit me përmbajtje të lartë melamine. Ky është një kimikat industrial që shkakton dëmtime serioze të veshkave të njeriut, duke e çuar madje drejt vdekjes. A. Rr.

Drejtoria e Shëndetit Publik i përgjigjet Avokatit të Popullit për qumështin kinez

"Vumë në dispozicion laboratorin,

prioriteti është i Bujqësisë"

Përgjegjësia kryesore mbi kontrollin e qumështit "Panda", të importuar nga Kina, e ka Ministria e Bujqësisë. Kontrolli i këtij produkti, me bazë shtazore, është prioritet i Ministrisë së Bujqësisë dhe veçanërisht i Institutit të Kërkimeve Veterinare. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Sipas tij, duke u nisur nga njoftimi i Avokatit të Popullit dhe kërkesa e tij për një përgjigje nga këto struktura, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar përgjigje zyrtare, në të cilën shpjegonte dhe sqaronte të gjitha masat e marra dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve në dobi të konsumatorit.

"Roli ynë si Ministri Shëndetësie nuk është primar, ne kemi për detyrë të parandalojmë, si dhe të përballojmë problemet kur shfaqen, por, për sa i takon pjesës së ekzaminimeve, kemi vendosur në dispozicion laboratorët tanë për kontrollet e imtësishme, që do të kryejë Ministria e Bujqësisë", sqaroi drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Gazmend Bejtja. Sipas tij, në shkresën zyrtare dërguar Avokatit të Popullit, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar rolin e saj dhe të gjitha pikat ku është diskutuar kontributi i këtij sektori, lidhur me çështjen e qumështit të importuar nga Kina. "Po ashtu, janë njoftuar të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik për të kontaktuar në raste shfaqjes së problemeve. Nëse do të konstatohet përmbajtja e substancës në ndonjërin prej qyteteve tona, atëherë një grup specialistësh nga Shëndeti Publik do të dërgohet për ekspertizë për të monitoruar situatën dhe për të mbrojtur shëndetin e popullatës", theksoi drejtori Bejtja. Në ndarjen e prioriteteve, sipas tij, Ministria e Bujqësisë ka një pozicion më të drejtpërdrejtë sesa Ministria e Shëndetësisë. "Ne zotërojmë laboratorë shumë të mirë, por të tilla situata nuk kanë qenë prezente më parë, zotërojmë mundësi të mira kontrolli, për sa u takon ekspertëve, mbetet çështje për t‘u diskutuar", përfundoi drejtori i Shëndetit Publik.

240 tonë qumësht "Panda" janë zhdoganuar këtë vit nga dogana shqiptare, ndërsa Avokati i Popullit, Emir Dobjani, ka kërkuar kontrolle të imtësishme nga Bujqësia dhe Shëndetësia me një përgjigje brenda 10 ditësh për të gjitha shqiptarët dhe strukturat shtetërore. Skandali i qumështit në Kinë, si dhe njoftimi i Avokatit të Popullit për kontrollin e importit të këtij produkti në zonën shqiptare, ka shqetësuar edhe bizneset e shumicës. Në kinkaleri, në rrugë apo në market, disa prej produkteve të ëmbla, që tregtohen për të gjitha moshat, gjenden edhe prodhime kineze. Çokollata, ëmbëlsira apo biskota, të cilat kanë në përmbajtje edhe qumështin, tashmë shihen me dyshim nga tregtarët, të cilët shesin dhe blejnë të tilla produkte.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›