E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, BSH inspekton tregun bankar

Shtrirja e krizës financiare në brendësi të Evropës dhe mundësitë e përfshirjes së saj edhe në sistemin tonë bankar, ka detyruar Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë disa inspektime rreth aktivitetit që kryejnë bankat e nivelit të dytë. Meraku i BSH-së qëndron në faktin e respektimit të rregullores së brendshme, të përcaktuara nga Këshilli Mbikëqyrës, të cilat në jo pak raste nuk janë zbatuar nga banka të ndryshme. Burime zyrtare pranë Bankës Qendrore konfirmojnë faktin se, gjatë pjesës së parë të vitit, janë kryer një sërë inspektimesh në të gjitha bankat që operojnë në tregun shqiptar, ndërsa të dhënat e raportit priten të publikohen gjatë ditës së sotme. Mësohet, gjithashtu, se Këshilli Mbikëqyrës i BSH do të mblidhet po sot për të diskutuar rreth situatës aktuale të sektorit bankar në vend, duke marrë shkas nga përkeqësimi i gjendjes në tregjet e huaja financiare. Vet guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, ka theksuar disa herë se Shqipëria nuk rrezikon aspak nga kriza e falimentimit të bankave në SHBA dhe Evropë, duke u nisur nga shtirja që kanë bankat tona me këto tregje.

Vendimet

Pavarësisht deklaratave të guvernatorit Fullani, ky i fundit kërkon nga krerët e të 16 bankave të nivelit të dytë më shumë kujdes në ndërmarrjen e veprimeve financiare, të cilat ndikojnë direkt në portofolat e kredisë. Një tjetër vendim i Këshillit Mbikëqyrës pritet të merret edhe mbi "stabilitetin e sistemit financiar të gjashtëmujorin e parë të vitit 2008", si dhe mbi "ecurinë e rezervës valutore dhe të portofolave të investimeve për muajin gusht të vitit 2008".

Situata

Kërkesa për para në ekonomi është rritur me një ritëm të qëndrueshëm prej mesatarisht 12 për qind në terma vjetorë, gjatë vitit 2008. Kredia për sektorin privat dominon zgjerimin monetar në ekonomi, ndërkohë që kreditimi i sektorit publik është ende modest, vetëm me rreth 2.5 pikë përqindjeje të rritjes vjetore të M3. Duke iu referuar komponentëve përbërës të ofertës së parasë, pjesa më likuide e saj, paraja jashtë bankave vazhdon të rritet me hapa të ngadaltë, ndërkohë që depozitat pasqyrojnë norma të larta rritjeje. E nxitur kryesisht, nga politikat promovuese të sistemit bankar të zbatuara në verën 2008, rritja vjetore të depozitave në lekë dhe atyre në valutë, rezulton përkatësisht 11.2 për qind dhe 30 për qind. Struktura kohore e tyre gjatë dy muajve të fundit pësoi një zhvendosje drejt depozitave me afat, e pasqyruar kryesisht në rritjen e depozitave me afat të individëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›