E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nëse Murinjo është Jezusi, unë s‘jam dishepulli i tij"

"Nëse Murinjo është Jezusi, unë sigurisht nuk jam një dishepull i tij". Karlo Ançeloti, një vit pasi i ulur në të njëjtën poltronë në të cilën atëherë rivali zikaltër, Zhoze Murinjo, ishte paralelizuar me Jezusin, i përgjigjet në distancë trajnerit nga Setubali i Portugalisë. Poltroni është ai i emisionit "Chiambretti Night", që do të transmetohet sot në mbrëmje në orën 23:35, ndërsa miku i radhës është trajneri i Çelsit, i cili i është përgjigjur një stuhie pyetjesh në lidhje me Milanin, që Chiambretti e përkufizoi si "i sëmuri". "Milani nuk është fundosur dhe nuk do të fundoset ndonjëherë, edhe pse për momentin ka pësuar disa krisje", nënvizon Ançeloti. "Cilat janë këto krisje? Dështon në manovrën sulmuese. Por askush nuk e ka historinë e Milanit. Ai ka fituar një kampionat të botës për klube në 2007, pastaj vijnë edhe momentet e rënies. Por Leonardo duhet të vazhdojë të bëjë punën e tij me qetësi, është një trajneri i ri, i cili ka mbështetjen e klubit dhe ka po ashtu një marrëdhënie të mirë me lojtarët". I ngacmuar disi nga e kaluara e tij juventine dhe për sa i përket çështjes "calciopoli", Ançeloti ka bërë të ditur se "nuk mund të thuhet që Juventusi ka pasur ndonjë ndihmë", por pohon se "në 2006 futbolli italian ka marrë një goditje të madhe dhe tani është më i qetë dhe më i pastër". Ndërsa për sa i përket Milanit, ai thekson se nuk ka asnjë problem mes tyre. "Marrëdhënia jonë është mbyllur me një dashuri të madhe, si çdo tjetër që mbyllet pas shumë vitesh. Berluskoni? Kemi folur në telefon tri ditë pas përfundimit të kampionatit të kaluar, kur e lajmërova se do të shkoja te Çelsi. Marrëdhëniet i kemi të mira edhe tani", thotë ai, duke treguar skemat që Kryeministri italian bëri të njohura në një emision të "Porta a porta", kur tha se ishte fryt i një bashkëpunimi me trajnerin. Ishin pikërisht ato që Kryeministri mori në një diskutim teknik, i cili parapriu finalen e Champions Milan-Juventus në Mançester në 2003. "Më kërkoi të merrte pjesë, buzëqeshi Ançeloti, dhe në fund doli me shënimet që kishte mbajtur".

Mes një batute dhe një tjetër në lidhje me anglishten e tij, mbi gjurin e sëmurë, Ançeloti driblon pyetjet në lidhje me të ardhmen e tij: "Të drejtoj Kombëtaren e Italisë pas Lipit? Nuk e di, nuk mundem të programoj atë që do të ndodhë pas një viti, një viti e gjysmë. Kasano? Nuk është një problem i imi, Lipi do të bëjë zgjedhjen e duhur". I lë portat hapur për Romën ("Ku i dihet, ndoshta në një të ardhme shumë të largët"), jo për një rol si drejtues bankine ("Që tani e kam të vështirë të bëj trajnerin"). Ançeloti thotë se do të shikojë "me interes" ndeshjen Milan-Roma të dielën në mbrëmje. Dhe, në fund të shout, duke hipur në makinë, atij që e pyet nëse Milanit i mungon më shumë Ançeloti apo Kaka, i përgjigjet me klasin e zakonshëm: "Sigurisht më shumë Kaka dhe Maldini, sesa Ançeloti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›