Berisha me Borshard përurojnë ujësjellësin e Uznovës
Në turin e tij të inaugurimeve, kryeministri Sali Berisha ishte dje në qytetin e Beratit, ku inauguroi përfundimin e ujësjellësit të Beratit dhe Kuçovës, një vepër e financuar nga qeveria gjermane. Në këtë vizitë të tij Berisha është shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman në Shqipëri, Borshard. Kreu i qeverisë përuroi dhe fillimin e punimeve për vazhdimin e rrjetit të ujësjellësit nga Berati drejt qytetit të Kuçovës, plot 12.5 kilometra, i mundësuar me një investim prej 4.6 milion eurosh të dhëna nga Banka Gjermane K.F.V. dhe që përmbush nevojat jetike për ujë të pijshëm të 120 mijë banorëve të Kuçovës. Kryeministri Berisha u shpreh se ndihej i lumtur që është bashkë me qytetarët e Kuçovës për të përuruar këtë vepër aq të domosdoshme për qytetarët e Kuçovës. “Investimi i bankës gjermane K.F.V., i taksa paguesve gjermanë dhe qeverisë gjermane do të mundësojë lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të Beratit me atë të Kuçovës, duke furnizuar me ujë të pijshëm të një cilësie të lartë banorët e Beratit”, - deklaroi Berisha. Shefi i qeverisë falënderoi qeverinë gjermane për financimet prej 1 miliard eurosh të dhëna për Shqipërinë në këto vite. Ai renditi në këtë kontekst investimet e rëndësishme gjermane nga jugu në veri në lëmin e energjetikës, ujësjellësve dhe në infrastrukturë. “Unë falënderoj këtu edhe Kancelaren, Angela Merkel, se ajo mbajti premtimin për të dyfishuar mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë”, - është shprehur Berisha.
Kryeministri, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Durrësit
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e diplomimit të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se qeveria po bën çdo përpjekje të mbështesë universitetet, por sipas tij mbështetja më kryesore dhe më përcaktuese do të jetë autonomia e tyre. Së bashku me kryeministrin, në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafai, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë, familjarë, etj. Gjatë kësaj ceremonie u diplomuan me “Diplomë të nivelit të parë” dhe ‘Diplomë”, 442 studentë të degëve të ndryshme. Në katër vite në këtë universitet kanë studiuar 4500 studentë, ndërsa gjatë vitit akademik 2009- 2010 janë hapur programe të reja studimi, duke kompletuar në këtë mënyrë profilin akademik të universitetit. Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe nderimin e veçantë, që ishte pjesëmarrës, në këtë ditë të shënuar, në jetën e çdo studenti. “Dita e diplomimit është dita e kurorës të njërës prej ëndrrave më të bukura tuajat, por edhe të prindërve tuaj. Ju shndërroni në realitet njërin nga projektet më madhore dhe shënoni një fillim të ri, të madh për veten, familjen, Durrësin dhe mbarë shoqërinë”,- u shpreh Kryeministri. Duke vlerësuar progresin e këtij universiteti, në vite, kryeministri theksoi se zhvillimi i vrullshëm i arsimit universitar shtron si emergjencë, reformimin e tij në vazhdimësi. Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për autonominë e universiteteve. “Historia e qytetërimit ka faktuar se universitetet kanë përmbushur misionin e tyre të zhvillimit të kombeve, vendeve, vetëm e vetëm kur ato kanë pasur të garantuar pavarësinë e tyre”,- tha kryeministri.
17 Korrik 2010