Zbardhen pikat e PS-së për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve
Pas tryezës së parë midis dy kryetarëve të grupeve më të mëdha Parlamentare, Ruçi e Patozi, të cilët ranë dakord për ngritjen e Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, dy partitë e mëdha po punojnë për hartimin e objektit të hetimit dhe mënyrës se si do të procedohet në këtë komision. Por socialistët mësohet se do t’i referohen në pjesën më të madhe pikave të përgatitura në draftin e dorëzuar në Kuvend në muajin shkurt. Duke u bazuar në këtë draft do të përgatisin mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Së pari mësohet se objekt i hetimit të zgjedhjeve do të jenë procesi i numërimit dhe vlerësimit të votimeve në VNV; hetim për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit; hetim KQZ-së për përdorimin e teknologjisë monitoruese; hetime për presionet ndaj administratës më 29 maj-29 qershor; hetim për përdorimin e mjeteve dhe të administratës në fushatë si dhe hetim për lejet e parakohshme për të dënuarit më 29 maj-29 qershor. Sigurisht që parësore do të jetë hetimi i hollësishëm i të gjitha dokumenteve që gjenden në kutitë e materialeve zgjedhore. Ndërkaq mbetet ende në pikëpyetje çështja e rinumërimit të fletëve të votimit. Ende nuk është marrë një vendim se cili do të jetë qëndrimi i radhës së PS-së në lidhje me fletët e votimit, ndërkohë që qëndrimi i PD-së është i prerë për këtë çështje.
Kryerja e hetimit
Duke iu referuar draftit fillestar të PS-së mësohet se fillimisht për të kryer hetimin anëtarët e komisionit hetimor, pasi njihen me objektin e çështjes që do të hetohet, do të fillojnë mbledhjen e të dhënave për çështjen. Të dhënat mund të jenë informacione zyrtare dhe jozyrtare, por që njihen publikisht. Komisioni merr të dhëna nga burime të drejtpërdrejta. Pasi sigurohen të dhënat paraprake për çështjen, komisioni miraton planin e hetimeve deri në përfundimin e tyre. Plani i hetimeve mund të ndryshojë gjatë zhvillimit të hetimeve, kur dalin prova ose ngjarje të reja që lidhen me çështjen. Plani i hetimeve përmban gjithë hapat proceduralë, veprimet hetimore që do të ndiqen nga komisioni për hetimin e çështjes, si dhe rrethin e personave që do të merren si dëshmitarë ose ekspertë, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale. Në përputhje me planin e hetimit komisioni thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Të gjitha dëshmitë e marra regjistrohen në procesverbalin e mbledhjes të komisionit.
Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve. Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij. Anëtarët dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve. Për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, komisioni thërret ekspertë të njohur nga gjykata për fusha të ndryshme. Ekspertët janë të detyruar të raportojnë me shkrim për pyetjet që ngre komisioni për ta. Ekspertët duhet të jenë të paanshëm në konkluzionet e tyre dhe duhet të raportojnë mendimin e tyre për çështjen mbi parimet e profesionalizmit.
Hetimet quhen të përfunduara kur përmbushen të gjitha pikat e planit të hetimeve dhe kur komisioni krijon mendim të qartë për çështjen objekt hetimi. Pas përfundimit të hetimeve, kryetari i komisionit paraqet raportin përfundimtar të hetimeve, i cili përmban konkluzionet e hetimit, provat që kanë çuar komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes ose masa ndëshkimore për persona përgjegjës, kur ka të tillë. Kur komisioni, pas përfundimit të hetimeve, çmon se zyrtarë me imunitet plotësojnë kushtet për shkarkimin e tyre, propozon fillimin e procedurave të shkarkimit. Kur këto procedura kanë filluar, i mbështet ato me konkluzionet e hetimit. Raporti përfundimtar miratohet nga komisioni me vendim përfundimtar. Raporti përfundimtar i paraqitet seancës plenare të Kuvendit brenda 7 ditëve nga data e marrjes së vendimit përfundimtar të komisionit. Kuvendi i miraton konkluzionet e komisionit në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 78 të Kushtetutës. Kur raporti i miratuar në Kuvend përmban të dhëna për ekzistencën e veprave penale, atëherë ai i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale. Me paraqitjen e raportit përfundimtar në Kuvend, komisioni pushon së ekzistuari.
Objekti i hetimit
Hetim të gjitha dokumenteve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore
Hetim procesit të numërimit dhe vlerësimit të votimeve në VNV
Hetim për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit
Hetim KQZ-së për përdorimin e teknologjisë monitoruese
Hetime për presionet ndaj administratës më 29 maj-29 qershor
Hetim për përdorimin e mjeteve dhe të administratës në fushatë
Hetim për lejet e parakohshme për të dënuarit më 29 maj-29 qershor
Hetim të çdo shkeljeje që del gjatë hetimit për procesin zgjedhor
17 Korrik 2010