Kriza, Bosh: “Është koha për kompromis mes PS-së dhe PD-së”
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh i ndodhur në qytetin e Korçës nuk ka anashkaluar deklaratat politike. Bosh ka parë si pozitive nisjen e negociatave mes PS-së e PD-së, duke iu referuar kështu takimit të krerëve të grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi e Astrit Patozi. Sipas ambasadorit të OSBE-së, tani është koha që të dy palët të arrijnë në një marrëveshje të pranueshme dhe sa më të shpejtë. “Është pozitive që dy partitë kanë hyrë në bisedime dhe shpresojmë që të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët. Koha për kompromis është tani”, - theksoi ndër të tjera Bosh. “Ky është një zhvillim pozitiv. Më në fund po shikojmë se dy partitë politike po merren me gjëra substanciale. Ne e përgëzojmë nisjen e negociatave dhe urojmë e shpresojmë në gjetjen e një zgjidhjeje”, - është shprehur Bosh. Qëndrimi i ambasadorit Bosh vjen pas uljes në një tryezë bisedimesh të dy krerëve të grupeve parlamentare, Ruçi e Patozi, të cilët nuk gjetën konsensus për kërkesën e opozitës, atë të rinumërimit të fletëve të votimit. Ambasadori i OSBE-së u ndal edhe në ligjin shumë të debatuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, për të cilin qeveria po kërkon të shtrijë kontrollon mbi këtë institucion dhe ndaj të cilit janë bërë kritika të forta nga organizatat ndërkombëtare. Bosh nënvizoi se “ne nuk është se do të dalim me një projektligj. Ne kemi sjellë një ekspert britanik i cili do të japë ndihmesën e tij në komisionin e sigurisë, gjatë hartimit të këtij ligji”. OSBE deklaroi më parë se asistenca, që do të ofrojë për ligjin e Shërbimit Informativ nuk ka lidhje me ndryshimet që qeveria po kërkon të bëjë në këtë draft.
17 Korrik 2010