E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e sportit, kohë puthjesh dhe martesash



Është kohë e nxehtë puthjesh pa fund dhe martesash përrallore të yjeve të sportit. Pa kufizim. Nga Spanja, kampione e botës, te Holanda e vendit të dytë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Velloja e bardhë kalon edhe në Gjermani.
Kapiteni i kampiones së Botës, portieri i Realit të Madridit, Iker Kazijas (29 vjeç) u bë i famshëm në të gjithë botën e të dashuruarëve, dhe jo vetëm për puthjen pasionate direkt në televizion me të fejuarën e tij, Sara Karbonero (25 vjeçe), një gazetare sportive shumë joshëse e televizionit “Cinque” në Spanjë. Videoja e tyre e hedhur në “You tube”, por dhe në shumë faqe interneti është ndër më të klikuarat. Çifti më i famshëm spanjoll konsiderohet si “shija e Spanjës” nga blogjet e internetit. Së shpejti ata do të shkojnë drejt altarit. Lojtari më i shtrenjtë në botë, Kristiano Ronaldo, i njohur si “zotëria 69”, pagoi para pak ditësh 12 milionë euro nënën biologjike të djalit të tij, që ajo të heshtë e të mos tregojë kurrë identitetin e saj, ndërkohë që mediat portugeze bëjnë fjalë se sulmuesi i Realit i Madriddit mund të ketë edhe një fëmijë tjetër me një grua ende të panjohur.
Nëse ekipi i Johakim Lëvit nuk e luajti finalen e madhe, kapiteni i “Nationalmanschaft”, Filip Lahm e luajti atë. Jo duke pasur një top përpara, por duke vënë unazën në një ceremoni ëndrrash në Gjermani. Dy ditë pas kthimit nga Afrika e Jugut, kapiteni i Gjermanisë dhe ylli i Bajernit të Munihut, Filip Lahm (26 vjeç) u martua me shoqen tij prej një kohe të gjatë Klaudia Shatenberg (25 vjeç). Nusja kishte veshur një fustan të bardhë ëndrrash, ndërkohë që një karrocë e tërhequr nga katër kuaj të stolisur e çuan Klaudian në kishën e përmbytur nga lulet. Historia e çiftit kishte filluar dhjetë vjet më parë, kur Lahm ishte 16 vjeç dhe Klaudia, 15. Muajin e mjaltit çifti do ta kalojë në Greqi.
Gjithsesi, ylli i Bajernit nuk është i vetmi futbollist, që martohet kaq shpejt. Në të kundërt, shumë nga kolegët e tij janë lidhur në një moshë të re. Shembulli më i mirë. Zbulimi më i madh i Kampionatit Botëror afrikan, gjermani Tomas Myler, fituesi i dyfishtë i “Këpucës së artë” (si shënuesi më i mirë, 5 gola dhe 3 asistë) dhe çmimit i si “Lojtari i ri më i mirë”, e mori “Po”-në e të dashurës së tij, po 20 vjeçare, Liza. Të dy bashklëjetojnë që nga nëntori i vitit 2009, atëherë kur Myler nga një lojtar amator ishte shndërruar falë në një lojtar të rëndësishëm të Bajernit, kjo falë edhe trajnerit holandez, Luis van Gal. Historia e lidhjes së tyre është shumë interesante. Ata u njohtën në verën e vitit 2007, por më pas e humbën njëri-tjetrin nga sytë, derisa u rigjetën në një rrjet social në internet. Po përse kaq shpet te martesa? Liza sqaroi për tabloidin popullor gjerman “Bild”: Kjo është shumë e thjeshtë: dashuria. Kjo është e gjitha. Ne e dimë, se çfarë na premton e ardhmja”. Edhe kolegu i tij te Bajerni, sulmuesi i famshmë Miroslav Kloze (32 vjeç, 14 gola në finalet e botërorëve, shënuesi i dytë më i mirë me Kombëtaren gjermane) e gjeti shumë shpejt gruan e jetës: ai u martua me Silvian (po 32 vjeçe, tani) në vitin 2003.
Pasi humbi finalen e Kupës së Botës kundër Spanjës (0-1), holandezi Uesli Shnajder dhe e bashkëshortja e tij e ardhshme, Jolante Kabau, u morën me të gjitha detajet e martesës së tyre përrallore, ceremoni që do të zhvillohet në Castel Monaster të Sienës, në Itali. Do të jenë dy ceremoni, një familjare, në kishëzën intime të Borgos, ndërsa te ajo e së shtunës – do të zhvillohet në Castelnovo Beradegna, ku dy të martuarit do të vijnë me një karrocë të tërhequr nga gjashtë kuaj të bardhë – do të jenë të pranishëm rreth 250 persona, i gjithë stafi e lojtarët e Interit dhe presidenti zikaltër, Masimo Morati. Dasma do të ndiqet nga fotografë dhe televizione të shumtë. Shefi i kuzhinës do të vijë enkas nga Holanda, dhe gjithçka do të jetë kuruar në ngjyrat portokalli. Mediat italiane flasin për një martesë të denjë për “Oscar”.
Po përse martohen kaq shpejt futbollistët? Ky fenomen nuk vërehet vetëm në Gjermani. Ylli i sulmit spanjoll, Fernando Torres (25 vjeç) u martua në korrik të vitit 2009 me të dashurën e tij, Olala Domonigue (24 vjeçe). Topçiu i Anglisë dhe i Mançester Junaitid, Uejni Runi (sot 24 vjeç) i martua me Kolinin (po 24 vjeç) në qershor të vitit 2008, kur ata ishin vetëm 22 vjeç.
Shumë futbollistë synojnë ta heqin qafe sa më shpejt martesën. Mesatarja e burrave që martohen në Gjermani është 32.7 vjeç. Atëherë përse futbollistët martohen kaq shpejt?
Së pari, shkruan “Bild”, shumë lojtarë falë edhe rrogës së tyre të mirë janë në gjendje të krijojnë shumë shpejt dhe të ushqejnë një familje, çka për shumë gra në botë është shumë tërheqëse. Nga ana tjetër, shumë futbollistë marrin për gra të dashurat e tyre, të cilat i kanë njohur në rininë e tyre. Ato nuk e dinin se i dashuri i tyre do të kishte një të ardhme prej ylli, pasi kanë dashuruar së pari njeriun.
Nga ana tjetër, edhe trajnerët ndihen më rehat, kur lojtarët e tyre janë në duart e grave. Ish-trajneri i Kombëtares së Greqisë, gjermani Oto Rehagel (71 vjeç) theksonte: “Unë vlerësoj se, kur futbollistët janë të martuar, atëherë gruaja e tij është vendi më i mirë për grumbullim”. Për trajnerin është e rëndësishme, që lojtarët e tyre të jenë të përgjegjshëm dhe të rregullt gjatë ditë. Gruaja në këtë rast është një përparësi pozitive.
Gjithsesi, ka dhe lojtarë apo sportistë që kanë pasur martesa “blic” dhe janë martuar disa herë në kërkim të gruas së përsosur. Lotar Mateusi u martua për herë të parë kur ishte 20 vjeç, ndërkohë që në vitin 2009 ai u martua për herë të katërt dhe është ndarë sërish. Edhe “Kaiser” Franc Bekenbauer u martua në moshën 21 vjeçare, por Heidi, gruaja e tij aktuale, është bashkëshortja e tij e tretë. Por ka nga dhe nga këta: presidenti i Bajernit, Uli Hënes u martua me gruan e tij, Suzanën, kur ishte vetëm 20 vjeç dhe deri tani janë shumë të lumtur.
Shembulli më i mirë i një bashkëjetesë të gjatë është Mikael Balak. Kapiteni i Gjermanisë u martua me Simonën pas 10 vjetësh edhe pse të dy kishin tre djem. Ish-sulmuesi i Shalke 04, Kevin Kuranji u martua me Viktorian e bukur në korrik të vitit 2007. Ylli i Holandës, Arjen Roben është i lumtur me gruan e tij, Bernandinë, por dhe një i pasionuar pas rulotave, ku shkon ngado me pushime. Martesa e mesfushorit të Holandës, Rafael van der Vart me Silvin (në vitin 2005) u transmetua direkt në televizion.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›