E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita braktis Komisionin e Ligjeve, PD-ja miraton ndryshimet për pronat



Eljona Ballhysa - Deputetët demokratë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve kanë miratuar dje projektligjin e hartuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për disa ndryshime në ligjin e pronave. Projekti i Alibeajt i jep të drejtën pronarëve të cilët kanë konflikt pronësie që t’i drejtohen Agjencisë së Pronave për rishqyrtimin e vendimeve të dhëna më të parë nga ish-komisionet e pronave, apo agjencitë rajonale të pronave, para se çështja të shkojë në gjykatë. AKKP-ja, sipas këtij ligji, mund të shqyrtojë vetëm ato vendime për të cilat nuk ka një vendim të prerë gjykate dhe që nuk janë në proces shqyrtimi nga gjykata. Ndërkaq opozita, ashtu si edhe gjatë diskutimit në parim, edhe gjatë mbledhjes së djeshme, ka kundërshtuar miratimin e këtij projektligji, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas deputetëve të opozitës, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së nuk mund të marrë vendime të barabarta me një vendim gjykate, duke shfuqizuar titujt e pronësisë. Deputetët socialistë propozuan që ky ligj të mos miratohej, pasi Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë sërish. Ata nuk morën pjesë në votimin për çdo nen të projektligjit, duke u larguar nga mbledhja e Komisionit. Ndërkaq, në mbështetje të deputetëve të opozitës doli komisionari i Avokatit të Popullit, Alfred Paskali, i cili, ashtu sikurse PS-ja, e cilësoi draftin antikushtetues. Ndërsa, Drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa e cilësoi projektligjin të domosdoshëm dhe që plotëson, sipas tij, një vakuum ligjor.
Diskutimi
Sipas drejtorit, Elvis Cefa, drafti “Alibeaj” parashikon një mënyrë efikase që pronarët të kërkojnë edhe një herë të drejtën e tyre përpara se vendimi i Agjencisë të përfundojë në gjykatë. “Konstatimi nga praktika e punës është që gjykata nuk ka aftësinë profesionale që mund të ketë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si një organ i specializuar administrativ për hetimin e çështjeve të pronësisë. Duke shkuar me tej, edhe gjykatat e tjera eprore, kanë ndryshuar vendime të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, totalisht haptazi në kundërshtim me ligjin”, - tha Cefa. Deputetët e Partisë Socialiste, nga pyetjet e tyre, formuluan opinionin se amendamente bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paralajmëruan se do të rrëzohen, ashtu si edhe ndryshime të tjera paraprake që i janë bërë ligjit të pronave nga PD-ja. Por reagimi kundër erdhi nga Drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa, sipas të cilit, ekzistojnë shumë raste, kur gjykata ka ndryshuar të drejtën e pronësisë, nga pronari i ligjshëm tek dikush tjetër. “Jemi në trajtimin e kërkesave të fundit të pronarëve. Janë rreth 60 mijë kërkesa që kanë marrë vendime këto vite. Janë rreth 7 mijë kërkesa pa vendime, që do të thotë, që prona, e cila pretendohet nga këto 7 mijë subjekte, nuk është e lirë. Në të gjitha rastet është e zënë nga dikush tjetër dhe shpeshherë, në mënyrë abuzive. Atëherë, nëse Agjencia do të funksionojë me ligjin ekzistues, siç e ka lënë gjykata ekzistuese, destinacioni i të gjithë këtyre njerëzve, do të jetë vendimi negativ”, - tha Cefa.
Drafti
Drafti i hartuar nga demokrati Alibeaj dhe që është kundërshtuar ashpër nga PS-ja, parashikon ankimin e qytetarëve për vendimet e padrejta të ish-komisioneve apo agjencive rajonale të pronave, pranë Agjencisë Qëndore të Pronave. Ankimi duhet të bëhet vetëm brenda afateve për ushtrimin e të drejtës së ankimimit. Në rast të kundërt, drejtori i AKKP-së vendos direkt mospranimin e kërkesës pa e marrë atë në shqyrtim. Mund të rishikohen vetëm vendimet që nuk janë duke u shqyrtuar në gjykatë apo për të cilat gjykata nuk ka një vendim themeli të formës së prerë. Neni i shtuar parashikon gjithashtu edhe subjektet që mund të bëjnë kërkesën për rishqyrtim që është subjekti i shpronësuar, personat juridikë publikë, nëse vendimi që kërkohet të rishikohet, ka cenuar të drejta pasurore shtetërore apo Avokatura e Shtetit.“Nëse nuk ekzistojnë kushtet e mospranimit të kërkesës për rishikim të parashikuar në nenin 16/5, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së me vendim të ndërmjetëm vendos kalimin e çështjes për shqyrtim në themel. Në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes Drejtori i AKKP-së vendos: lënien në fuqi të vendimit; shfuqizimin e vendimit; shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Nëse gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishikim konstatohet se janë kushtet e nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, vendos konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi ai përbën titull ekzekutiv dhe zyrat e shërbimit përmbarimor bëjnë ekzekutimin e vendimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile”, parashikohet në nenin 2 të draftit të hartuar nga Alibeaj dhe që u kundërshtua nga PS-ja.

17 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›