E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi: “Prifti të japë shpjegime për kompaninë farmaceutike, Megafarma”



Eneida Jaçaj - Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi ka deklaruar se ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti është përfshirë në një aferë korruptive që ka lidhje me një kompanie farmaceutike, ‘Megafarma’. Subashi i ka kërkuar dy ministrave të qeverisë ‘Berisha’ të shpjegojnë lidhjen me këtë kompani prej të cilës sipas tij, Dritan Prifti ka marrë 1.8 milion euro ose 2 miliard e gjysmë lekë.
Deklarata
Partia Socialiste u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë mbi lidhjet korruptive e klienteliste të ministrave të LSI-së. Subashi theksoi se nëse organet e drejtësisë nuk hetojnë në lidhje me këto afera, kjo do të ishte prova më e turpshme se në Shqipëri shteti është kapur dhe se sistemi i drejtësisë i këtij vendi ka dështuar në mënyrë të pashpresë. “1.8 milion eurot e ministrit Prifti janë veçse maja e ajsbergut të korrupsionit, ku është kredhur qeveria Berisha-Meta. Këto 1.8 milion euro dhe milionat e tjera që kanë futur në xhep ministrat dhe drejtuesit e lartë të LSI-së shpjegojnë fare mirë arsyen përse Dritan Prifti dhe Ilir Meta trafikuan 80 000 vota të majta, për t’u shpërblyer më pas nga Sali Berisha me miliona euro të fituara nga aferat korruptive”, - u shpreh Subashi.
Kërkesa
Partia Socialiste i kërkon ministrit Prifti të sqarojë sesi mund të fitohen 1.8 milion euro ose 2 miliardë e gjysmë lekë në një vit të vetëm si ministër. “Prifti duhet të na sqarojë se sa tendera e licenca i është dashur të japë, se sa ndere e favore i është dashur të bëjë për të fituar 1.8 milion euro në një vit të vetëm. Dje Dritan Prifti iu përgjigj akuzave të opozitës, duke hedhur baltë e duke lëshuar shpifje të denja vetëm për një njeri që ka humbur logjikën. Por të gjitha këto, janë veçse përpjekje të kota për të larguar vëmendjen nga kjo histori korrupsioni marramendës”, - u shpreh deputeti Subashi.

17 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›