Berisha me Haradinajn: Këtë javë marr vendim për dhënie shtetësie
.jpg)
Kryeministri Sali Berisha sulmoi mediat në Shqipëri pse e kanë kritikuar për nismën e dhënies së shtetësisë
Kryeministri Sali Berisha priti në një takim kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i liruar nga akuzat e Tribunalit të Hagës përpara pak ditësh.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi Haradinajn, ndërsa shtoi se e dinte se akuzat ndaj tij ishin politike. Berisha vlerësoi Gjykatën e Hagës për punën e bërë.
“Kjo vizitë është një ngjarje shumë e rëndësishme në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Vizita e Ramush Haradinajt është një ngjarje e veçantë për të gjithë shqiptarët sepse ai si komandant i luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor me lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Dhe duhet të theksojmë se liria kombëtare është vendosur vetëm me lirinë e Kosovës”, tha Berisha, shkruan gazeta Tema.
I pyetur nga mediat, Berisha mbrojti idenë e tij për dhënien e shtetësisë, duke theksuar se ishte habitur që edhe mediat shqiptare e sulmuan për këtë çështje.
“Lexoni dekretin e ish- presidentit Berisha në korrik 1992. Në atë kohë nuk ishte ky reagim,” tha Berisha, duke shtuar se firmosësit e aktit të pavarësisë ishin nga Kosova e Maqedonia
Berisha tha se do të firmosë një vendim për dhënien e shtetësisë për ata që investojnë në Shqipëri. Kryeministri tha se ndryshe nga sa druhet Brukseli, nisma e tij sjell paqe e stabilitet.
“Lidhur me deklaratat, në Shqipëri ka një spektër të gjerë politik. Në këtë spektër Partia Demokratike pati shansin historik për të qenë partia e rivendosjes së të drejtave njerëzore dhe të minoritarëve dhe ajo ka mbetur dhe do të mbetet gjithnjë e tillë. Përsa i përket qëndrimeve të mia ndaj shtetësisë së shqiptarëve kudo që janë këto jam i bindur se kontribuojnë më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar prore jo nga një, por nga disa vende të BE. Maqedonasit nuk kanë probleme përzierjesh identiteti apo rivalitet identiteti me shqiptarët. Ata kanë identitetin e tyre, shqiptarët kanë identitetin e tyre, por Bullgaria mike iu jep shtetësi atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësinë bullgare. Nuk e ka bërë këtë në mënyrë absolute as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, përkundrazi dua të njoh këtu një meritë historike të qeverisë bullgare. Në kohën kur Sllobodan Millosheviçi dhe Kostandin Micotaqis thirrën të mblidhnin aleatë të tre shteteve Serbi, Greqi, Bullgari të krijonin një lloj aleance trilaterale, qartësisht kjo mbi baza fetare, Bullgaria mike iu tha Jo, nuk vij. Dhe Bullgaria një nga kontributorët në njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë. Po kështu Hungaria dhe vende të tjera, kjo është një praktikë që jo vetëm nuk destabilizon por përkundrazi prodhon më shumë stabilitet dhe zhvillim. Unë këto javë do të miratoj vendimin në qeveri, në përputhje me ligjin ekzistues, i cili autorizon dhënien për interesa ekonomike të shtetësisë shqiptare. Si thoni ju, tani, unë tu vë një taksë shqiptarëve për të marrë në shtetësinë shqiptare? Ata e kanë paguar këtë taksë. Për ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe pavarësisë, pavarësi, ata e kanë paguar taksën kudo që janë. Nuk mund ti bëj unë të huaj ata. Për të huajt vendimi do të jetë shumë shpejt në qeveri dhe do të përcaktoj siç ka përcaktuar Bullgaria, siç ka përcaktuar Mali i Zi, siç ka përcaktuar Hungaria. Këto janë standarde, jo të shpikura nga Shqipëria. Do të ketë një shumë të caktuar. Ai që bën këtë investim do marrë shtetësinë shqiptare. Kjo është,” tha Berisha.
Edhe Ramush Haradinaj e vlerësoi këtë nismë, duke thënë se e sheh si një zbatim i një të drejte për shqiptarët që janë jashtë kufijve.
Haradinaj tha se janë të nderuar që si parti kanë partnere PD-në në Shqipëri.
“Ne jemi përcaktuar si parti e qendrës së djathtë dhe kemi nderin me pasë një partneritet me PD në Shqipëri”.