VV: Komuna e Malishevës injoron shembjen e dheut në qytet e fshatra

Pas disa javë me mot me shi në Komunën e Malishevës janë shfaqur edhe problemet me shembjen e dheut dhe vërshimet. Kjo situatë emergjente e ka gjetur Komunën e Malishevës pa asnjë përgatitje. Lëvizja Vetëvendosje! pas një vizite në zonat e rrezikuara dhe pas informimit nga afër me problemin përmes një komunikate alarmon për gjendjen e rrezikut në Tërpezë të Ulët dhe hyrje të qytetit të Malishevës. Në zonën e rrezikut jetojnë shume familje dhe rruga e tyre rrezikon të mbyllet. Familjaret e zonës u shprehen se ndihen shumë të shqetësuar për rrezikun. Situata është shumë e rëndë pasi familjet rrezikohen nga shembja e dheut dhe nga kabllot e energjisë elektrike që janë të vendosura në shtyllat të cilat qëndrojnë mbi dheun që po shembet.
Komuna e Malishevës po e injoron problemin duke premtuar se do të ndërmerr masa por deri me tani vetëm në nivel premtimesh janë edhe pse rreziku është shumë i madh.
Po ashtu shembje të dheut kemi edhe në hyrje të qytetit të Malishevës disa metra larg nga Komuna ku dheu ka bllokuar trotuaret dhe rrezikon edhe mbylljen e një pjese të rrugës.
Ne i bëjmë thirrje organeve kompetente që me urgjencë të marrin masa për evitimin e rrezikut në të kundërtën ata janë përgjegjës direkt për pasojat e mundshme./Indeksonline/