E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kim Mehemti: Më keqinterpretuan

Publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka thënë se është keqinterpretuar deklarata e tij rreth rolit të fesë islame për ruajtjen e identitetit shqiptar. Mehmeti ishte cituar në media të ketë thënë se “islami e ka shpëtuar shqiptarinë”. Por, në një deklaratë për Telegrafin, Mehmeti thekson se ky ishte një interpretim jo i qëlluar.“Le ta shohin ata që kanë shkruar kështu se çfarë kam thënë unë, e pastaj jam i gatshëm që të hyj në debate për këto çështje”, ka thënë Mehmeti.

Express ka botuar një shkrim në të cilin publicisti shqiptar citohej si mbështetës i pretendimit për rolin pozitiv që të fesë islame për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, citohet të ketë thënë Kim Mehmeti.

Pasi ka cituar këtë deklaratë të Kim Mehmtit, ka reaguar kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, i ka cilësuar si të pavërteta deklaratat që i atribuohen shkrimtarit Kim Mehmeti.

“Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë. Islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve”, ka thënë Don Shan Zefi.

Deklarata që i atribuohet Mehmetit u bë gjatë promovimit të Librit “Shkupi”, një nismë e përbashkët kjo e shtëpisë botuese Logos-A me Lëvizjen Vetëvendosje. I pyetur nga Express për këtë çështje, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, ka thënë se në një shoqëri të lirë dhe demokratike, secili intelektual i artikulon dhe i mbron qëndrimet e tij.

“Kështu bën edhe Kim Mehmeti. Lëvizja Vetëvendosje nuk mban përgjegjësi për fjalën publike të intelektualëve, prandaj pyetja juaj fsheh një mendësi shumë të rrezikshme”, ka thënë Konjufca./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›