Berisha me Jahjagën: Viti tjetër do jetë më i mirë për shqiptarët
-Presidentja kosovare ndalon në Tiranë gjatë kthimit nga Praga ku ishte në funeralin e Vaclav Havel. Në faqen e kryeministrisë nuk ka asnjë foto të Berishës atje, kurse presidenca kosovare ofron disa foto të Jahjagës në funeral
Kryeministri Sali Berisha, priti në një takim presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila bëri një ndalesë në Tiranë gjatë kthimit nga Praga, ku mori pjesë në funeralin e ish- presidentit, Vaclav Havel.
Berisha dhe Jahjaga shprehën bindje se viti i ardhshëm do jetë më i mirë për shqiptarët. Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë ku ata do të cojnë përpara e do të progresojnë në projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim evropian. Në këtë takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh por edhe atë rajonal në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Duke u ndalur në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit kryeministri Berisha dhe presidentja Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te pavarësia e Kosovës dhe përpjekjen e sakrificën ne kombit që bëri të mundur që sot shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit të tyre të ri, atij evropian, vijon njoftimi.
Ndërkohë, në faqen e kryeministrisë nuk ka asnjë foto nga vizita e Berishës në Pragë, ku mori pjesë në funeralin e Vaclav Havel. Kurse në faqen e presidentes së Kosovës ka disa foto.