E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton ligjin për privatizimin e Albpetrolit

24-12-2011 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekretuar dje shpalljen e ligjit për privatizimin e shoqërisë Albpetrol. “Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a. Patos”. Në seancën plenare të 15 dhjetorit, Kuvendi miratoi me 72 vota “pro” dhe 62 kundër, p/ligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos”. Diskutimi i zgjatur për rreth katër orë i këtij pr/ligji u shoqërua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit e cilësoi procesin “jotransparent dhe korruptim”. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, deklaroi gjatë kësaj seance se privatizimi i Albpetrol do t’i japë zgjidhje problemeve ekonomike, financiare dhe ligjore që ka sot kjo kompani, duke përcaktuar termat e referencës dhe dokumentet për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për shitjen e aksioneve të kompanisë. Gjithashtu Presidenti ka dekretuar edhe 4 ligje të tjera si ligji “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo-ushqimore”, “Për noterinë”, të ndryshuar”,“Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›