Haxhinasto-Holtkemper: Hapi i parë i nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve

Shqipëria dhe Gjermania, firmosin protokollin për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u nënshkrua dje “Protokolli i Shkëmbimit të Instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Evazionit Fiskal në lidhje me Taksat mbi të Ardhurat dhe Kapitalin. Marrëveshja u nënshkrua nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto dhe znj. Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë. Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë marrëveshje për të promovuar e nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimet e mëtejshme ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ai shtoi se Gjermania është një vend partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe një nga donatorët më të mëdhenj për vendin tonë. Znj. Holtkemper theksoi se kjo marrëveshje do t’u japë mundësi bizneseve që të zgjedhin vendin në të cilin ata do të paguajnë taksat, dhe me siguri biznesmenët gjermanë do të preferojnë Shqipërinë sepse do të përfitojnë nga taksa e sheshtë që është vetëm 10 %. Ajo shtoi se Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimi në të gjithë tregun rajonal. Marrëveshja hyn në fuqi ditën e sotme me shkëmbimin e Instrumenteve të ratifikimit dhe efektet financiare fillojnë nga zbatimi në datë 1 janar 2012. Kjo marrëveshje luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve, duke krijuar një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridike shqiptar dhe gjerman që kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera. Dispozitat e Marrëveshjes përcaktojnë mënyrat se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.
...