E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajm për Guinness: Dy biznesmenë mohojnë korrupsionin

Share

Business Albania ka bërë një studim, nga i cili rezulton që problem kryesor për botën e biznesit shqiptar mbetet korrupsioni. Janë anketuar 500 kompani, dhe 498 kanë deklaruar se janë viktima të ndërgjegjshme të korrupsionit (Ka mbetur e pashpjeguar se çdmth viktimë e ndërgjegjshme e korrupsionit; dmth që biznesmenët kanë pranuar vetëdijshëm të paguajnë nën dorë në këmbim të shërbimeve të administratës?).

Në këtë histori, do ish shumë interesante të njiheshin me emër e mbiemër kapot e atyre dy kompanive që nuk paskan vuajtur prej praktikave korruptive të administratës. Do ish me vlerë që këta të dy të detyroheshin të kalonin testin e makinës së të vërtetës (janë ato makinat, ku pacientëve apo të pandehurve për një krim u vihen tela në trup në mënyrë që të lidhen me një makinë, e u matet gjendja emocionale, teksa u përgjigjen pyetjeve të sikletshme; kështu krijohet një ide mbi saktësinë e gjërave që thonë). Nëse rezulton që biznesmenët tanë nuk gënjejnë, kjo do të ishte ngjarja e vitit. Scoop për librin Guinness: Në Shqipëri janë gjetur dy biznesmenë, që marrëdhëniet me administratën publike i kanë ngritur mbi baza të korrektesës ligjore e morale.

Meqë jemi në lëmin e gjërave të pabesueshme, po ju them një sekret timin: Sot në mëngjes piva kafe me një marsian.

M.N.

*respublica.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›