Berisha, me Obamën në samitin e SHBA-së, takon liderët botërorë
Kryeministri Sali Berisha takohet me liderët botërorë në Samitin e Ndryshimit të Klimës në SHBA. Berisha, i cili po merr pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së OKB-së në Nju Jork, gjatë bisedës me ta, diskutoi dhe shkëmbeu pikëpamje për zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik. Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, mori pjesë përkrah liderëve botërorë në hapjen e Samitit për Ndryshimin e Klimës që zhvillon punimet në SHBA. Gjatë seancës së samitit, platenë e përshëndeti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Pas ceremonisë, në kuadër të Samitit të Ndryshimit të Klimës, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht për këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën. Ndërkohë më herët, Kryeministri Berisha u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrës në sesionin e 64-t të Asamblesë së OKB-së, në Nju Jork. Z. Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me Presidentin e Kinës Hujintao si dhe me disa homologë të tij, Kryeministrin e Japonisë, Hotajama, Kryeministrin e Kuvajtit, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu u takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete të tjera, të pranishëm në samit.