E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KE-së: Zgjedhjet në Shqipëri, progres i prekshëm



Këshilli i Evropës publikoi raportin për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, ku vlerëson se zgjedhjet parlamentare shfaqën përparim. Në raportin e komitetit të posaçëm të KE-së, shprehet se falë procedurave të reja në proces u arrit progres. Komiteti Ad Hoc i Asamblesë Parlamentare thekson se “zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 në Shqipëri shfaqën përparim të shënuar falë futjes së procedurave të reja për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve dhe për miratimin e një kuadri ligjor të përmirësuar. Gjithashtu, ai vuri në dukje përmirësimin në funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, - thuhet në raportin e KE-së. Në të njëjtin raport thuhet se ndryshimet në Kushtetutë dhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor me konsensus kanë sjellë përmirësim të konsiderueshëm në legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë. “Komiteti Ad Hoc vëren me kënaqësi qetësinë gjatë ditës të votimit dhe votimin e mirorganizuar, pa ndonjë incident ose dhunë”, - thuhet më tej në raport. Ashtu edhe si raporti i OSBE/ODIHR-it thuhet se politizimi i aspekteve teknike solli probleme të cilat prekën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Raporti

Raporti i Komitetit të Këshillit të Evropës analizon të gjitha elementet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në pothuaj 20 faqe, analizohet procesi duke nisur që nga reforma ligjore, administrimi i zgjedhjeve, mediat, partitë politike etj. “Ndërsa duhen theksuar përpjekjet e rëndësishme të bëra nga autoritetet kombëtare për të kompletuar procesin e vështirë të identifikimit të shtetasve të vendit dhe lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave të reja, komiteti Ad Hoc vëren me keqardhje se ky proces u bë çështja kryesore e fushatës zgjedhore, duke lënë mënjanë shumë çështje politike që preokupojnë qytetarët e Shqipërisë dhe që duhet të ishin në qendër të debatit”, - thotë raporti. Ai thekson se duhet më shumë transparencë në media si dhe u rekomandua që të rritet më tej roli i grave në Kuvend. Për sa i përket numërimit të votave komiteti Ad Hoc rekomandon që “për zgjedhjet e ardhshme, procedura e numërimit të votave duhet të përmirësohet ndjeshëm dhe numri i ekipeve të numërimit të rritet ndjeshëm në çdo zonë të qendrave të numërimit”. Rekomandohet që në zgjedhjet e ardhshme edhe emigrantët të kenë mundësi të votojnë.

Kodi dhe partitë

Raporti e sheh me shqetësim politizimin e fushatës, ndërsa ka dhënë një rekomandim, sipas të cilit, krerët e partive politike duhet të kandidojnë dhe jo të qëndrojnë jashtë listave për deputetë. “Duhet të hiqet e drejta që u është dhënë krerëve të partive politike për të mos hyrë në zgjedhjet parlamentare”, - thonë rekomandimet e raportit. Më tej, raporti jep rekomandim edhe për rishikimin e Kodit Zgjedhor. “Komiteti Ad Hoc konsideron se Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet vetëm në pikat ku një gjë e tillë është e diktuar nga standardet ndërkombëtare ose në probleme të veçanta. Për pjesën tjetër, në mënyrë që të garantojnë besimin e qytetarëve të vendit, autoritetet shqiptare janë të ftuara të shtojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar plotësisht legjislacionin zgjedhor”, - thotë raporti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›