Bojkoti, Topi: PS-ja kontestimet t’i bëjë në Kuvend
Kreu i shtetit, Bamir Topi, kërkon pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend me apelin se duhet të bashkëpunojë me qeverinë për realizimin e reformave integruese për vendin. Gjatë intervistës së mbrëmshme në “News 24”, Presidenti kritikoi opozitën për qëndrimin bojkotues ndaj institucionit të Kuvendit, duke u kujtuar se ky është tempulli ku mund të bëhen kontestimet. Sipas Bamir Topit, kontestimi nuk është argument për të mos marrë pjesë në Parlament, ndaj i bëri thirrje PS-së që të zhvillojë dialogun konstruktiv pikërisht në sallën e Kuvendit.
“Unë nuk mund të them që baza e kontestimit është motiv për të mos marrë pjesë në Parlament, kurrsesi. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që vendi i politikanit të zgjedhur nga elektorati është në Parlament. Aty është mundësia për t’u shprehur për kontestimin, aty është mundësia për të bërë edhe objeksionet. Aty është mundësia për të debatuar, për të aprovuar ligje të rëndësishme, tek e fundit, përgjegjësia është ekskluzivisht e politikanit”, - deklaroi z. Topi. Presidenti i Republikës i kujtoi PS-së së Edi Ramës se ishte ajo që dha konsensus për Kodin e ri Zgjedhor, ndaj në kushte të tilla ajo duhet t’i japë fund bojkotit parlamentar. Topi përmendi: “Ata menduan të ndryshonin sistemin, ata vendosën që në KQZ të kenë projeksionin politik partiak, ata vendosën që komisionet zonale dhe komisionet e drejtpërdrejta në kutinë e votimit të jenë të projektuara në partitë politike, çka do të thotë që është tërësisht ekskluzivitet dhe përgjegjësi e partive politike, të cilat e zhvilluan dhe e numëruan procesin si të tillë”. Ai shtoi se çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e monitorëve është pranuar nga partitë politike, është pranuar nga institucionet shqiptare dhe duhet marrë e tillë ashtu sikurse është bërë dhe është deklaruar nga ata. Pa dashur të japë receta për partitë politike, z. Topi bëri të ditur se bashkëpunimi nuk mund të jetë në mënyrë segmentare, atëherë kur ndihet e nevojshme për interesa të çastit. Sipas tij, bashkëpunimi i klasës politike duhet të jetë konstant, permanent, të mos ketë shkëputje, sepse ky vend ka sfida shumë të rëndësishme përpara. “Vendi ynë, klasa politike, institucionet duhet të punojnë në mënyrë shumë intensive për të kapur sa më shpejt ata parametra dhe ato standarde që kërkohen. Lufta më e madhe që ne kemi sot, është lufta me kohën”, - theksoi z. Bamir Topi. Ai bëri të qartë se askush të mos mendojë se Shqipëria do të hyjë në BE, pa bërë reforma shumë të thella në fushën e drejtësisë. Në gjykimin e Presidentit Topi është fusha e së drejtës, e të drejtave të njeriut, e të drejtave legjitime që çdo njeri kërkon dhe të mos mendohet në mënyrë të gabuar që drejtësia jepet vetëm në institucionet e drejtësisë. “Është i gjithë network-u i institucioneve në një vend demokratik që fillon me reformimin e ligjeve, me mbushjen e boshllëqeve ligjore, me eliminimin e handikapëve që kanë ligjet, me azhurnimin e ligjeve të kohës së Bashkimit Evropian dhe kjo bëhet në Parlament dhe atje domosdoshmërisht kërkohet shumicë e cilësuar. Merrni në konsideratë vetëm Gjykatën Administrative. Gjykata Administrative është një kërkesë e kohës, një kërkesë e biznesit dhe një kërkesë e të gjithë shoqërisë”, - u shpreh kreu i shtetit.