E Diel, 1 Nëntor 2026

Nju Jork, Berisha takon Sejdiun: Veprime të reja për njohjen e Kosovës



Tirana dhe Prishtina zyrtare synojnë përshpejtimin e procesit të njohjes së Kosovës shtet dhe për këtë dy qeveritë shqiptare do të intensifikojnë koordinimin e veprimeve kudo në botë për sa më shumë njohje. Dy delegacionet shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, u takuan mbrëmë në Nju Jork, ku po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takuan mbrëmë në Nju Jork me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, në një darkë të shtruar për nder të dy delegacioneve nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në OKB. Në këtë takim të përzemërt u diskutua për koordinimin e veprimeve të të dyja delegacioneve në lobimin që do të bëjnë për përshpejtimin e njohjes së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë bërë këtë. Delegacioni i Shqipërisë dhe Kosovës po marrin pjesë në punimet e Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës do të kenë takime me krerë të vendeve nga të gjitha kontinentet dhe do të angazhohen në lobimin për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Gjatë qëndrimit në SHBA, në mënyrë të veçantë delegacioni i Kosovës, ka të fiksuar në axhendë një sërë takimesh të rëndësishme me udhëheqës botërorë për sa më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në sesionin e 64-t të saj ka mbledhur në Nju Jork mbi 130 burra shteti, mbretër, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm. Gjatë debatit të përgjithshëm njëjavor edhe vendet aleate dhe mbështetëse të pavarësisë së Kosovës do të jenë aktive me lobim, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet kyçe të Bashkimit Evropian dhe në mënyrë të veçantë Shqipëria. Orientimi i diplomacisë kosovare duket se këtë vit ka një plan më dinamik e ai është synimi dhe përpjekje për bisedime dhe negociata me secilin vend, gjithnjë duke pasur të garantuar mbështetjen e Tiranës zyrtare dhe përpjekjet e saj gjithnjë në rritje për njohjen e Kosovës së pavarur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›