Dade: Nano President? Se përjashtoj propozimin nga socialistët
Flet anëtarja e Kryesisë së PS, Arta Dade.
Të rinjtë të mos djegin etapat në PS, të katapultuarit nuk mbeten gjatë në politikë
Anëtarja e Kryesisë socialiste, Arta Dade, në një intervistë për gazetën Panorama nuk e përjashton Fatos Nanon si propozim të PS për President, edhe pse shprehet se ai smund të konsiderohet si President mbi palët.
Për Daden, emrat e përveçëm do të dalin pasi të përfundojë procesi i përcaktimit të kritereve nga PS. Duke folur për raportin mes të rinjve që katapultohen në forumet e PS, Dade shprehet se kjo vetëm i dëmton ata dhe nuk u shërben gjatë në politikë. Anëtarja e Kryesisë socialiste flet dhe për zëvendësimin e sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë në PS me një drejtori, në krye të të cilit është ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme deri para pak muajsh, por dhe për delegimin e anëtarëve të Kryesisë në qarqe.
Zonja Dade, duket sikur marrëveshja e nëntorit të vitit të kaluar herë i afron dhe herë i largon palët në lidhje me plotësimin e 12 prioriteteve të KE për Shqipërinë. Në këtë fazë që jemi, sa optimiste jeni ju që këto prioritete do të përmbushen brenda një afati që nuk do ta pengojë marrjen e statusit në vjeshtë?
Është normale që në një kompromis, në mënyrë të veçantë me maxhorancën aktuale, palët herë të afrohen dhe herë të largohen. Sepse është më se e qartë që ne udhëhiqemi nga vizione të ndryshme lidhur me integrimin europian të vendit. Kuptohet që ka zvarritje edhe në përmbushjen e atyre prioriteteve që kanë dalë edhe më në pah në mënyrë të veçantë pas deklarimit të komisionerit Fyle dhe të Baroneshës Ashton se duhet përfunduar në kohë dhe pa dyshim konform të gjitha standardeve dy reforma: reforma zgjedhore dhe reforma për procedurat parlamentare. Në këto dy çështje, dukshëm ka zvarritje nga ana e maxhorancës dhe janë shtyrë edhe afatet e përcaktuara më parë edhe me vendim Parlamenti, në mënyrë të veçantë për grupin që punon për reformën zgjedhore. Unë shpresoj që maxhoranca të plotësojë ato kërkesa të opozitës që janë në linjë edhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, pra opozita për reformën zgjedhore nuk kërkon as më shumë dhe as më pak se sa ka kërkuar vetë ODIHR-i në rekomandimet që ka dhënë dhe unë shpresoj që të plotësohen këto domosdoshmëri, sepse nëse ne do të hyjmë në një proces zgjedhor dhe nuk do të kemi gati infrastrukturën përsa i përket identifikimit të kartës së identitetit në mënyrë që të shmanget votimi i disafishtë dhe nëse opozita nuk do të ketë akses për të pastruar dublimet në listat zgjedhore, edhe kjo në funksion të shmangies së votimit të disafishtë, atëherë ne hyjmë në zgjedhjet e përgjithshme pa i përmbushur ato detyrime. Dhe, për rrjedhojë, nuk kemi përmbushur një nga prioritetet që ka përcaktuar KE.
Zonja Dade, PS toleroi përsëri në miratimin e Kodit Penal, sepse në fund, për të mos djegur edhe këtë etapë të integrimit të vendit, pranoi që të japë votën e saj për Kodin Penal, edhe pse një amendament i propozuar prej saj nuk u pranuan nga maxhoranca. Ka një lloj ndjese PS që nëse do të kishte vepruar në këtë mënyrë për të mos bllokuar integrimin, do të ishte bërë bashkëpunuese me maxhorancën dy vjet më parë?
Këtu kemi të bëjmë me një qëndrim korrekt dhe serioz nga ana e PS, sepse duke gjykuar se 33 amendamente u pranuan nga ana e maxhorancës, dhe praktikisht përmirësimi i ligjit është fryt i punës së deputetëve të PS në Komisionin e Ligjeve. Sigurisht, ne amendamentin që nuk u pranua e konsiderojmë të rëndësishëm dhe do të kemi mundësi që ti korrigjojmë në një të ardhme të afërt ato çka maxhoranaca ka hedhur poshtë. E konsideroj të rëndësishëm, sepse Shqipëria ka një problem shumë serioz, që mund të krijojë dhe kosto të paparashikueshme në një të ardhme të afërt, sikurse ka ndodhur në Greqi, manipulimi i shifrave në mënyrë të veçantë, që kanë të bëjnë me gjendjen ekonomike dhe sociale, është në dëm të të gjitha zhvillimeve dhe në mënyrë të veçantë çka e ardhmja e afërt ka rezervuar për shqiptarët dhe qeverinë që do të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ne e konsiderojmë se përgjegjësia për manipulimin e shifrave duhet të jetë një përgjegjësi penale dhe sigurisht do të kemi mundësi ti korrigjojmë këto gjëra kur ne të jemi maxhorancë. Fakti që shumë gjëra nuk u bënë më parë, nuk lidhet me ndonjë qëndrim të paracaktuar të opozitës, lidhet pikërisht me zvarritjen që u ka bërë kjo maxhorancë proceseve integruese, sepse në fund të fundit është maxhoranca ajo që ofron kompromise, që shtrin dorën e bashkëpunimit, jo përmes retorikës false, por përmes bashkëpunimit konkret dhe praktikisht këtë veprim ne nuk e kemi parë nga pala tjetër. Opozita, vazhdimisht, që nga viti 2009 ka lëvizur nga pozicionet e veta dhe ka ofruar kompromise disa herë dhe nga ana e maxhorancës nuk është dhënë asnjë kompromis. I vetmi kompromis për të cilin mburren është votimi për Avokatin e Popullit, por dhe kjo zgjedhje nuk është se doli nga PS, por nga procesi që Partia Socialiste ndërtoi dhe organizoi dhe sigurisht atje u paraqitën edhe mbështetës të PD dhe të PS, por dhe njerëz që nuk i kanë bërë ndonjëherë bindjet e tyre publike. Kështu që kjo smund të ofrohet si kompromis që maxhoranca i ka bërë opozitës, por është një përmbushje deri diku i një prej detyrimeve që materializohet në kërkesat e 12 prioriteteve.
Ngjarja më e rëndësishme politike e këtij viti është zgjedhja e Presidentit. Deri tani, i vetmi individ që ka shprehur hapur ambicien e tij për të qenë një nga kandidatët është Fatos Nano. Cili është mendimi juaj për këtë kandidaturë?
Unë nuk marr përsipër të komentoj emra të caktuar. Është hera e dytë që zoti Nano aspiron dhe është në lojë për tu kandiduar si President. Sigurisht, përtej faktit që ai ka bërë përpjekje për tu shkëputur nga PS, madje e ka sulmuar PS, duke qenë i angazhuar për rreth 15 vjet në krye të saj, nuk ka se si Nanon të bëjë një figurë përtej partive dhe përtej forcave politike. Unë besoj se PS do të ndërtojë një proces konform ligjeve në fuqi, me qëllim përcaktimin e kritereve se si duhet të jetë Presidenti i Shqipërisë në këtë periudhë që vendi ka përballë sfida serioze dhe të vështira. Besoj se PS në javët që vijnë do të konkretizojë kriteret se çfarë pret nga Presidenti i Republikës dhe si duhet të jetë kjo figurë institucionale, e respektuar nga të gjitha palët, një figurë që të mos zgjidhet me 71 vota në Parlament, sepse është shumë e kufizuar. Përtej ndryshimeve që ne bëmë në Kushtetutë, për të cilën PS ka kërkuar ndjesë për miratime të pakonsultuara dhe të nxituara, unë gjykoj që në javët e ardhshme, ashtu siç ne kërkojmë që të përcaktojmë parimet se si duhet të jetë Presidenti i ardhshëm dhe nga parimet të shkojë tek emra të veçantë, do të uroja që dhe forcat e tjera politike të bënin të njëjtën gjë.
Është shprehur dhe zoti Rama, por dhe përfaqësues të tjerë, që zoti Nano ka krijuar një profil të baraslarguar nga partitë politike për të qenë një kandidat mbi palët, por dikush duhet ta propozojë. Mundet PS ta ketë Nanon një kandidat të saj të konsultuar më parë dhe me palën tjetër?
Unë fola për një proces, sigurisht kjo nuk përjashtohet derisa ne do të përcaktojmë kriteret dhe metodologjinë e këtij procesi. Pa dyshim, është herët të thuash se çfarë përjashtohet dhe çfarë inkludohet.
Kryesia e PS ka bërë një rishpërndarje të anëtarëve të saj në qarqe si të deleguar, por shohim që ky proces është shoqëruar me rezistencë dhe refuzime për të mos e pranuar këtë vendim nga anëtarë të saj, në heshtje apo në veprim, siç është rasti i zotit Braçe. Si i gjykoni këto qëndrime?
Unë fillimisht isha kundër këtij vendimi nisur nga fakti që ndoshta duhej bërë rast pas rasti dhe jo në total, mbi bazën e një analize, por ne duhet të konsultohemi dhe me detyrat që k