E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, PR del kundër vendimit të qeverisë

Kreu i PR, Mediu

Republikanët nuk mbështesin draftin e ekzekutivit për dhënien e tapive përdoruesve të tokave bujqësore.

Ligji i ri u jep goditje ish-pronarëve, mungoi konsultimi

Partia Republikane kundërshtoi dje projektligjin e miratuar nga qeveria, që parashikon pajisjen me tapi brenda një viti të pronarëve të tokave bujqësore, që janë përfituar me anë të ligjin 7051. Nënkryetari i PR-së, Alfred Deshati, theksoi se nisma e qeverisë nuk i jep zgjidhje problemit të pronave dhe si e tillë nuk duhet miratuar në Parlament. Sipas republikanëve, hartimi i projektligjit është kryer pa marrë parasysh kërkesat e pronarëve të tokave dhe si i tillë, projektligji krijon konfuzion dhe përkeqëson gjendjen e pronave. Kjo iniciativë nuk i jep zgjidhje problemit, por e përkeqëson atë. Qeveria më këtë ligj po u jep goditje pronarëve, pasi një vendim i tillë nuk mund të merret pa i pyetur ata, deklaroi Alfred Deshati. Nënkryetari i Partisë Republikane deklaroi se projektligji i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është një goditje e rëndë për zgjidhjen e problemit përfundimtar të pronarëve të ligjshëm. Është detyrim i qeverisë dhe Parlamentit që të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës private, konform Konventës Europiane, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, për më tepër që ky është një nga 12 kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimit Europian. Përfaqësuesi ynë në qeveri ka kërkuar që ligjet të cilat janë në proces nuk mund të kalojnë pa marrë mendimin e pronarëve të ligjshëm, të cilët kanë mbetur skllevër vetëm për shkak të konjukturave politike, theksoi nënkryetari i PR-së.
Përplasja
Sipas republikanëve, Komiteti i Verifikimit të Titujve të Pronësisë me ligjin e vitit 2008, ka pasur si detyrë verifikimin e të gjitha paligjshmërive në dhënien e tokës me anë të ligjit 7501, dhe kjo ka rezultuar e dështuar. Komiteti i Verifikimit të Titujve të Pronësisë me ligjin e vitit 2008 ka pasur si detyrë që të verifikojë të gjitha paligjshmëritë për përfitim abuziv të tokës, sipas ligjit 7501 dhe vendimit të qeverisë për tokat e ish-fermave bujqësore. Deri më sot nuk është bërë asgjë. Çdo dhënie e titujve të pronësisë, në kurriz të kthimit dhe kompensimit fizik të pronës tek pronari i ligjshëm, bie ndesh me kërkesat e ligjshme të pronarëve dhe rekomandimeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian, dhe si i tillë një proces është i papranueshëm nga republikanët, deklaroi nënkryetari i PR-së.

Kush përfiton
Ligji ngarkon Këshillin e Ministrave të përcaktojë:

a) Detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat për përcaktimin përfundimtar të përdoruesve të tokave bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, në komunat apo bashkitë ku komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi.
b) Dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë, si dhe dokumentacionin e informacionin që duhet të kërkojë e kontrollojë kryetari i komunës apo Bashkisë, që përfituesi të jetë subjekt ligjor i trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 Për tokën.
c) Institucionet ku zyrtarisht do të kërkohet plotësimi i kërkesave të parashikuara në paragrafin 1/1 të nenit 17 të këtij ligji, procedurat dhe rregullat e hollësishme të bashkëpunimit, si dhe afatet e komunikimit me këto institucione.
ç) Formën e dokumentit përfundimtar të pronësisë dhe mënyrën e ruajtjes dhe të përcjelljes së tij pranë institucioneve që drejtojnë dhe kontrollojnë procesin, deri në dërgimin e tij për regjistrim në ZVRPP.

Pollo
Pronarët e tokave bujqësore, që i kanë përfituar ato me ligjin 7051, por që nuk kanë aktin e pronësisë, do të mund të marrin pronësinë e plotë në një hark kohor njëvjeçar. Ministri për Inovacionin, njëherësh dhe kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, Genc Pollo, deklaroi dje se ky projektligj u jep të drejtë krerëve të pushtetit vendor që të plotësojnë dokumentacionin të cilin nuk e kanë plotësuar pas viteve 90 komisionet e atëhershme të ndarjes së tokës bujqësore.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›