Kadare dhe Xhuvani, ose dy vepra për një përvjetor!
Blendi Fevziu 2009 po ikën dhe Shqipëria nuk e festoi dot siç duhej 20- vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje e madhe evropiane që dominoi pothuaj krejt Evropën këtë vjeshtë. Ndoshta ngjarja nuk ka atë ndjesi që ka pasur atje dhe ne na mbetet të festojmë më fort 8 dhjetorin e vitit që vjen, 20-vjetorin e lëvizjes studentore që solli pluralizmin në vend. Por jashtë festimeve zyrtare dhe atyre që organizojnë OJQ – të, Shqipëria do të kishte qenë tejet e nderuar nëse në festimet evropiane do të ishte prezantuar jo me një ekspozitë, jo me referate, jo me dëshmi, por me dy vepra artistike: një roman dhe një film. Sado e çuditshme të duket, “E Penguara”, Romani i Kadaresë dhe “Lindje, Perëndim, Lindje”, filmi i Gjergj Xhuvanit, janë dy vepra që fare mirë mund të konsideroheshin si evenimente kulmore ne 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Dy monumente shqiptare që ndriçojnë, tashmë artistikisht, atë realitet të trishtë.Izolimi dhe absurdi është ajo që i bashkon të dyja. Edhe pse, thellësia artistike dhe filozofike është e ndryshme nga njëra tek tjetra, përjetimi dhe dhimbja është e njëjtë. Romani i Kadaresë është padyshim, një ndër romanet më të mirë që ai ka shkruar 20 vitet e fundit. Një vajzë e re, gjimnaziste, jeton në internim, e ndaluar që të vijë në Tiranë. Por ajo jeton me Tiranën, di çdo vend dhe çdo distancë të saj, di çdo ngjarje artistike dhe në largësi ka rënë në dashuri me një shkrimtar të njohur atje. Vajza nuk mund ta takojë shkrimtarin, nuk mund t’i shprehë atij pasionin e saj. Ashtu siç nuk mund të shohë kryeqytetin dhe të shëtisë në rrugët e tij. Por ajo gjen një mënyrë për ta bërë këtë. Si në mitet e lashta, ajo depërton deri te shkrimtari përmes shoqes së saj të ngushtë, një vajzë pa njolla në biografi, që udhëton lirshëm në Tiranë dhe që mund ta vijojë atje shkollën e lartë. Shoqja i sjell vajzës “së penguar” jo vetëm një roman me dedikim nga shkrimtari, të cilit nuk i ka thënë se për këtë ja kërkon dedikimin, por edhe afërsinë me të. E nisur për të plotësuar një dëshirë të shoqes së internuar, vajza bie në dashuri me shkrimtarin. Por ndryshe nga dashuria e shoqes tjetër, kjo nuk është dashuri platonike, dashuri e penguar. është një dashuri konkrete, fizike. Vajza drithërohet nga ideja që ka hyrë në ndjenjën e shoqes së saj, që ka shpërdoruar besimin intim të saj, por befasohet kur kupton se e internuara është e lumtur për këtë që ka ndodhur. Si në legjendat, vajza tjetër, i ka shërbyer asaj për të përcjellë, tashmë fizikisht, ndjenjën e saj të ndaluar te shkrimtari, për të kryer aktin e dashurisë në distancë me të. Thënë ndryshe, ajo ka përdorur trupin e shoqes për të kryer vetë aktin që nuk e kryen dot fizikisht. Trupi është tjetërsuar për të plotësuar një dëshirë. Por zbulimi i këtij akti shoqërohet me paragjykimin dhe keqkuptimin e shoqërisë. Vajzat akuzohen për lezbizëm, vihen nën peshën e opinionit dhe të autoriteteve. Vajza e internuar trishtohet edhe më shumë kur e kupton se internimi, ai që ajo besonte se do të mbaronte një ditë, përsëritej çdo pesë vjet. Dhe një ditë vret veten. Pa arritur të dalë në kufijtë e vitit 1990… Filmi i Xhuvanit ka më shumë ironi, duket shpesh me absurd, por ka brenda tij po kaq dhimbje. Një grup çiklistësh të rinj, më në fund, pas 44 vitesh ftohen në një aktivitet ndërkombëtar. është fillimi i vitit 1990. Partia vendos që ata të shkojnë në garë për të dëshmuar se sa i aftë është sporti shqiptar. Mes sakrificash dhe privimesh, përmes shumë skenave që kujtojnë mahnitshëm atë kohë, grupi niset me një anije peshkimi për në Itali. Mbërrin në Trieste, por kur mendonte se kishte dalë në botën e lirë dhe atje do të tentonte të tregonte vlerat e tij artistike, braktiset nga Ambasada. Në Shqipëri kanë nisur ngjarjet e Ambasadave dhe 5 çiklistët për të mbijetuar, në një botë që Lindjen e sheh me çudi dhe dyshim, shpenzojnë gjithë monedhat e florinjve që i kanë siguruar me aq sakrifica dhe i kanë transportuar me aq frikë. Por as sakrifica e gjithë jetës nuk mjafton. Mbeten të izoluar dhe për të siguruar kthimin në atdhe, ndërmarrin një nisëm mbinjerëzore. Udhëtojnë me biçikleta nga Tristja në Shqipëri, duke kaluar gjithë Jugosllavinë, mes sakrificave, privimeve, pengesave dhe gjithë asaj situate absurde që shoqëronte Ballkanin menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit. Kur mbërrijnë në Shqipëri, vendi është në kaos dhe të gjithë ikin….Nuk ka dyshim se ritregimi apo riprodhimi i dy veprave artistike në një shkrim nuk siguron kurrë emocionin që ato vetë prodhojnë. Por të dyja këto, “E Penguara” dhe “Lindje, perëndim, Lindje” janë dy vepra, që po aq sa artistike, janë edhe historike. Dy vepra, që Shqipëria mund t’i kish lartuar këtë vit, për të nderuar 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe për të shpresuar, që një kohë, apo filozofi e atillë, të mos përsëritet më kurrë.Në fund të fundit, kur politika, OJQ, mediat nuk prodhuan dot diçka monumentale për këtë përvjetor, arti e bëri gjithsesi.