E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyle: Palët politike ta zgjedhin me ujdi Presidentin

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle

Komisioneri për Zgjerimin në BE shprehet para vizitës së tij në Tiranë.

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, kërkon nga politika shqiptare të zgjedhë një President konsensual.
Në një intervistë për Top Channel në Bruksel, Fyle pret që të rikonfirtmojë në Tiranë klimën e dialogut dhe të reformave. Ata nuk do të mund të dëgjojnë prej nesh se çfarë duhet të bëjnë ekzaktësisht. Ne nuk kemi për qëllim që të imponojmë këtë apo atë rrugëdalje. Gjithsesi, ajo që do të nënvizoj në Tiranë, është që roli i Presidentit paraqitet i rëndësishëm, madje edhe me sistemin shqiptar. Ai duhet të jetë President i gjithë shqiptarëve. Ai është garanti, jo vetëm i kushtetutshmërisë, por reflekton gjithashtu këndvështrimet apo shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të gjithë shqiptarëve. Ai duhet të jetë një element i rëndësishëm në kuadrin gjithëpërfshirës për reformat e hapat e ardhshëm që lidhen me zgjerimin. Ndaj, shpresoj shumë se të gjitha palët e interesuara, të gjitha partitë politike do të bëjnë një ujdi të tillë që të garantojnë se Presidenti i ri shqiptar do të reflektojë pritshmëritë, u shpreh dje Fule. Pak ditë përpara vizitës në Shqipëri, komisioneri Fyle shpjegoi nga Brukseli mesazhet kryesore që pritet të përcjellë, si dhe pritshmëritë në lidhje me axhendën e reformave europiane të vendit. U humb kohë në çështjet e brendshme dhe mungesa e gjithëpërfshirjes në proces është parë si një plagë e infektuar më vete, këtu në Bruksel. Por, më pas, në nëntor, pati një mirëkuptim të rëndësishëm. Pati një ripërtëritje të angazhimit nga të gjitha palët e interesuara në vend për një sërë çështjesh të procesit europian. Gjërat nuk janë ende perfekte me siguri, por ata po ecin në drejtimin e duhur. Kështu që, unë po shkoj atje, jo për të adresuar çështjet dhe problemet e së kaluarës, por së pari për të çmuar atë që politikanët po japin ndaj pritshmërive, jo të Brukselit, por të qytetarëve shqiptarë, u shpreh eurokomisioneri.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›