Berisha me raportuesit e KiE: Çështjen e presidentit e kemi zgjidhur me marrëveshjen e vitit 2008
Berisha vlerëson gjyqësorin duke thënë se rritja e numrit të të dënuarve pas vitit 2005 tregon përmbushjen e detyrës kushtetuese
Kryeministri Berisha priti sot në takim bashkë – raportuesit për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: parlamentarin çek Tomas Jirsa, parlamentarin moldav Grigore Petrenco, të shoqëruar nga Sekretari i Komisionit të Monitorimit të AP së Këshillit të Evropës, Bas Klajn, të cilët ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një vizite zyrtare.
Bashkë raportuesit kanë shprehur kënaqësi për klimën pozitive që gjetën në vend dhe progresin e bërë që nga vizita e tyre e fundit në qershorin e vitit 2011.
Gjatë takimit, Berisha u ka thënë raportuesve se reforma zgjedhore do përmbushet me sukses dhe në mënyrë konsensuale mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Në një njoftim të kryeministrisë thuhet se Berisha është ndalur tek çështja e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët duke theksuar angazhimin e palëkundur për heqjen sa më shpejt të këtij imuniteti në konsensus të plotë me opozitën.
Në lidhje me gjyqësorin, Kryeministri vlerësoi se rritja e numrit të të dënuarve që pas vitit 2005 është tregues i përmbushjes së detyrës kushtetuese.
Berisha ka qenë i qartë sa i përket presidentit, që ishte edhe një nga shqetësimet kryesore të misionit të KiE. Berisha ka thënë se e kanë zgjidhur me marrëveshjen e vitit 2008 çështjen e presidentit. Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në procesin e afërt të zgjedhjes së presidentit. Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, kryeministri çmoi se ndryshimet konsensuale kushtetuese të vitit 2008 bënë të mundur që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos përbëjë një faktor krize politike dhe siguroi se zgjedhja e presidentit do të bëhet në përputhje të plotë me procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.