Rama: Do propozojmë moratorium për mbrojtjen e mjedisit, kjo qeveri po zhduk edhe kastravecin e detit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në tryezën e organizuar nga opozita për çështjet e mjedisit, për të ilustruar se deri ku po shkon rrënimi, solli shembullin e një firme të quajtur Denis Patllixhani që po zhduk një specie të rrezikuar të detit tonë, të njohur edhe si kastraveci i detit.
Dua thjesht për një ilustrim mbi agresivitetin e forcës rrënuese të mjedisit, ta ndaj me ju. A thua se u mbaruan të gjitha çfarë mund të shkuleshin mbi tokë, në male, në pyje, flora, fauna, ka filluar prej kohësh dhe turrja në det. E pasi u dhanë gjithë liçensat e mundshme për çfarë mund të shihej mbi sipërfaqen e ujit dhe deri aty ku mund të arrinte imagjinata e njerëzve që e kanë parë detin për herë të parë shumë vonë, është arritur në këtë pikë: Kolothurrja, quhet një specie e mbrojtur nga të gjitha konventat ndërkombëtare, është një specie e përfshirë në listën e kuqe të specieve të rralla. Për një paradoks, që lidhet me fundin e këtij ilustrimi, në shqip mund të përkthehet kastraveci i detit. E pikërisht këto ditë është kontaktuar një firmë e quajtur Denis Patllixhan që do të vij me anije dhe me polumbarë dhe do të shkulë 2000 copë në ditë nga kjo specie e rrezikuar. Deri në fund të detit, deri aty ku nuk shkon kurrë mendja normale e njeriut, Denis Patllixhani do të godasë për të shkrirë çfarë deri tani ka kapur imagjinata, tha Rama.
Për ilustrim të situatës së ku ndodhet mjedisi, Rama sigurisht përdori edhe shembullin e Krujës. Është e pashembullt, është spektakolare ajo që ndodh në Krujë. Unë e kam thënë vijimësisht dhe e besoj që çdo vend që do të kishte Krujën në rajon, apo në Europë dhe do të kishte historinë dhe peizazhin që ka trashëguar gjenerata jonë, do ta kishte kthyer në një vend pelegrinazhi jo vetëm për gjithkënd që jeton në këtë vend, por, për gjithkënd që është i interesuar të dijë, të njohë dhe të prekë një copëz të vogël të historisë së Europës. Një copëz të vogël të atij peizazhi dhe të asaj trashëgimie natyrore dhe historike, që është peizazhi dhe historia trashëgimore e vet Europës. Në të kundërt, çka ka ndodhur me Krujën është transformimi i një vendi të shenjë për historinë tonë, për kulturën tonë, për identitetin tonë, në një zgafellë, e cila hapet e thellohet në zemër të malit javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti duke shpërfytyruar tërësisht të gjitha përmasat që ka ai mjedis dhe që ka historia e atij mjedisi. Një sjellje barbare jo thjesht me mjedisin, por një sjellje barbare me gjithçka ai mjedis mishëron historikisht, kulturalisht, e sigurisht edhe nga pikëpamja natyrore, tha Rama.
Një Inspektorat Kombëtar të Pastrimit
Kryetari i PS, Edi Rama, ka propozuar një Inspektorat Kombëtar të Pastrimit. Ne nuk mund të presim që shoqëria civile dhe qytetarët të kërkojnë me demonstrata dhe me referendume të drejta themelore mjedisore, të qarta si drita e diellit, siç është e drejta për të vendosur kundër importit të plehrave nga jashtë. Por do ta kthejmë shoqërinë civile në një partnere për ta ringjallur Shqipërinë e gjelbër. Situata e krijuar gjatë dy dekadave të fundit kërkon ndërhyrje energjike në shumë plane, por kërkon në radhë të parë vullnetin për të ndalur gjithë rrjedhën e ngjarjeve në drejtim të degradimit të mjedisit, këtu dhe pastaj për të rifilluar rikuperimin hap pas hapi. Prej kohësh kemi qenë të bindur dhe e kemi të rinënvizuar në draftin e programit tonë Për Një Rilindje Shqiptare domosdoshmërinë e krijimit të një Inspektorati Kombëtar të Pastrimit. Inspektoriat, që të mundësojë një Shqipëri pa plehra, që nuk realizohet dot me një aksion brenda një dite, por që duhet të jetë realitet për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, brenda një mandati qeverisës, tha Rama.
Moratorium për disa veprimtari mjedisore
Ekspertët që po merren me çështjet dhe programin tonë për mjedisin po vlerësojnë se sa mund ti përgjigjemi nevojës për vendosjen e Moratoriumit për një sërë veprimtarish mjedisore që kanë arritur vërtetë në pikën fundore, që po nuk u frenuan rrezikojnë të mbyllin përgjithmonë mundësinë e rigjenerimit. Një shembull doja ta sillja këtu në tryezë për një prej këtyre veprimtarive që ka të bëjë me gjuetinë. Ajo çka na ka bërë shumë përshtypje është fakti që në kushtet kur po zhvillohet një gjueti tërësisht barbare e pakontrolluar, më e egër se sa egërsirat që synon të godasë, bazuar në licenca tërësisht abuzive që iu lëshohen grupeve të gjuetarëve të huaj që vijnë për të gjuajtur këtu, çka ka ndodhur është që vetë gjuetarët kërkojnë masa shtrënguese. Vetë shoqatat e gjuetarëve kërkojnë që të merren masa shtrënguese sepse janë të vetëdijshëm se në rast se vazhdon kjo barbari brenda një kohe shumë më të shkurtër sesa 20 vjetët që kanë kaluar, nuk do ketë më çfarë të gjuajnë dhe do rrinë vetëm duke luajtur pastaj, sikur gjuajnë, vijoi kryetari i PS.
Në nisje dhe në mbyllje me Sami Frashërin
Kryetari i PS, Edi Rama, e ka nisur fjalën e tij duke iu referuar Sami Frashërit, por edhe e ka mbyllur duke iu referuar rilindësit.
Unë do ta filloja me Sami Frashërin. Duke iu referuan një prej ëndrrave të tij në të cilën shkruhet: Një Muze do të jetë në kryeqytet për histori të natyrës dhe do të bëjë kërkime në tërë Shqipëri për barërat drurët, metalet, gjërat e gjalla, e të tjera të vendit. E pra, në fakt, kjo ëndërr e Sami Frashërit u bë realitet falë përpjekjeve të klerikëve françeskanë në Shkodër qysh në vitet 30. Dhe u vazhdua më pas falë punës së dhjetëra e dhjetëra specialistëve, dhe të strukturave në mbështetje të tyre për vite me radhë, mbi florën dhe mbi faunën shqiptare, që krijuan dhe pasuruan Muzeun e mirënjohur të Natyrës në Tiranë. 120 vjet pasi Sami Frashëri e ka shkruar këtë ëndërr, e cila ishte një ndër ëndrrat e tij që u bë realitet, ne jemi sot përballë faktit se kjo është përsëri një ëndërr, sepse ai Muze u shkatërrua nga qeveria shqiptare pa kthim. Ajo pasuri që ishte në përmbajtjen e atij Muzeu, e trashëguar për dekada e dekada me radhë, praktikisht u shpërbë, tha në fillim Rama.
Dua ta mbyll me Sami Frashërin, aty ku e fillova, sepse kam shumë dëshirë të shoh një lidhje sado të largët midis aspiratës së asaj që ishte rilindja jonë e madhe shqiptare dhe aspiratës që ne kemi për një rilindje shqiptare. Aspak çuditërisht, vendosja e gishtit në plagë qoftë nga ky rilindas i madh dhe qoftë nga shumë të tjerë, sot nuk të bën të mendosh për Shqipërinë që ishte atëherë, por të bën të shohësh Shqipërinë që është. Nëse komandanti merr një mollë nga pema e tjetër kujt, ushtarët i nxjerrin fundin gjithë pemës pastaj, thotë Samiu. E në ndërkohë vazhdon Pyjet do të ndahen në disa ngastra dhe gjersa të vijë radha të pritet ngastra e fundit, ngastra që u pre më parë do të jetë rritur përsëri. E kështu kurrë pyjet e Shqipërisë do mosmbarohen por do të jenë të përtëritura, e të lulëzuara gjithherë.