E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr nga Kina kredi për infrastrukturën

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri, Sali Berisha është pritur dje në audiencë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, ♪en Jiabao. Kryeministri kinez, pranon ftesën dhe do të vizitojë Shqipërinë. Ndërkaq, Shqipëria dhe Republika Popullore e Kinës do të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti strategjik për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.
Takimi
Në takim ishte i pranishëm dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ylli Pango. Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës i uroi mirëseardhjen Kryeministrit, duke theksuar se është takimi i parë i tij me një mik të vjetër të Kinës. Kryeministri kinez u interesua për impresionet e Berishës për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, për të cilat Kryeministri shqiptar u shpreh se ishte një ceremoni magjike, në lartësinë e kombit të madh kinez dhe një organizim i përsosur. Jiabao shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, me perspektivë shumë optimiste për bashkëpunimin dypalësh. Berisha theksoi nga ana e tij, se e konsideronte shumë të rëndësishme miqësinë me Kinën. Kam qenë këtu, në vitin 1996, tha kryeministri, me dy qëllime; Qëllimi i parë, të falënderonte kombin kinez për ndihmën ndaj Shqipërisë, duke hapur dhjetëra e qindra fabrika ku u punësuan dhjetëra e mijëra njerëz, por që qeveria e atëhershme u tregua mosmirënjohëse dhe e mbylli vendin në një izolim ekstrem, duke mos ndjekur kursin e reformave të Kinës që ndërmori Ten Xiaopin. Qëllimi i dytë, vijoi ai, ishte vendosja e marrëdhënieve dypalëshe në një stad të ri. Kryeministri i Kinës tha se këtë vit do të jetë 60-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke shprehur kënaqësinë që marrëdhëniet janë në një nivel shumë të lartë dhe duke ndarë të njëjtin mendim se ato duhen të çohen më tej. Berisha tha se në të shkuarën, Kryeministri Cu En Lai vizitoi 3 herë Shqipërinë. Ka ardhur koha që në 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, shqiptarët të mirëpresin Kryeministrin kinez, si një kulminacion i marrëdhënieve, u shpreh ai. Jiabao pranoi ftesën me kënaqësi dhe tha se do të vizitonte Shqipërinë sapo të krijohej mundësia. Kryeministri kinez Jiabao tha se e gëzonte progresi ekonomik i Shqipërisë.
Vlerësimet
Në takim, Berisha vuri në dukje se Kina po njeh progres të madh dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për Kinën, por për tërë planetin. Jiabao tha se do të inkurajojë biznesin kinez për të investuar në Shqipëri dhe se do të dërgojë shumë shpejt një ekip që të vlerësojë fushat me interes për investimet kineze. Gjithashtu, kreu i qeverisë shqiptare tha se ishte e rëndësishme mbulimi dhe garantimi i investimeve kineze nga institucionet financiare kineze, ndërkohë që Shqipëria do të ofrojë lehtësira të mëdha për biznesin kinez, si për shembull zona të lira ose parqe industriale, të cilat po ndërtohen këtë vit në Shqipëri. Më tej, kryeministri foli për potencialet energjitike, hidrike, minerale, infrastrukturore të vendit tonë dhe ai kinez tha se këto fusha janë më me rëndësi për investimet. Berisha u shpreh se do të ishte me rëndësi një marrëveshje partneriteti strategjik dypalësh që do të nxiste bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri kinez Jiabao tha se kjo ekzitonte me Bashkimin Europian dhe mund të bëhej dhe me Shqipërinë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për grantin e qeverisë kineze, i cili i është dhënë Shqipërisë dhe kërkoi mundësinë për një kredi të butë që do të shkonte në rimëkëmbjen e infrastrukturës që ka trashëguar Shqipëria. Kjo gjë, theksoi ai, do të vlerësohej shumë nga qeveria shqiptare. Në këtë drejtim, Kryeministri kinez u përgjigj se qeveria e tij është e gatshme dhe e konsideron të mundshme t i japë një kredi të butë Shqipërisë, në mënyrë që ajo të rimëkëmbë infrastrukturën e saj.

Përgjigja

Kina: Njohja, zgjidhet midis Kosovës dhe Serbisë

Biseda midis dy homologëve, atij kinez ♪en Jiabao, dhe shqiptar Berisha, u ndal edhe në çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve në rajon, ku Kryeministri Berisha u shpreh se Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë, por e Serbisë së Madhe dhe se njohja e saj është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri kinez u shpreh se Kina respekton të drejtën dhe vullnetin e popujve dhe ajo mendon se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky lajm është publikuar: 11/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›