E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në bregdet, kompensimi peng i VKM-së

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genc Çela në një intervistë për “Ballkan” akuzon ALUIZNI-n, përsa i përket shifrës përfundimtare të kompensimit të ish-pronarëve në zonat informale, që presin legalizimin.
Çela nuk ka pranuar të flasë për shumën dhe listën e pronarëve, që do të dëmshpërblehen për vitin 2009, duke shpjeguar se ai vetë nuk ka asgjë në dorë dhe se thjesht zbaton vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave, një vendim i cili sipas tij nuk ka nevojë të vihet në zbatim nga AKKP, pasi përcakton çdo procedurë vetë dhe vetëm pasi ka dalë kjo agjenci shqyrton kërkesat e çdo individi të interesuar. Ai shpesh është përpjekur që të mos flasë për disa çështje, të cilat nëndrejtori i Përgjithshëm është në njohje shumë të mirë të tyre, duke na adresuar në zyrat përballë tij dhe departamentet e ndryshme të kësaj agjencie.
Çfarë po bën AKKP përsa i përket çmimeve të zonave që do të legalizohen, përse ekziston një disnivel i çmimit të dëmshpërblimit në këto zona?
Ne ndjekim procedurën e legjislacionit që është bërë, por jo për ata që u janë zënë trojet e tyre nga ndërtimet pa leje, por për ato toka që ka zënë shteti për qëllimet e tij dhe nuk ja ka kthyer. Pra, procedura e kompensimit që ndjek Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit është ajo që sipërpërmenda. Ndërsa, përsa i përket atyre që do të nxjerrë ALUIZNI është një problem që do ta shikojmë pastaj me ALUIZNI-n. Natyrisht që do të jemi në rakordim me njëri-tjetrin. Megjithatë unë nuk kam parë ende ndonjë material të përgatitur nga ALUIZNI për nevojat dhe për mënyrat e kompensimit që të na prezantohet. Sepse kjo agjenci ka pretenduar gjithmonë se ka përllogaritur dhe faturën financiare, natyrisht që kjo faturë llogaritet për atë person që zë pronën e tjetrit, por dhe për atë që preket, pra pronarin e ligjshëm.
Përsa i përket shifrës së dëmshpërblimit të ish-pronarëve për vitin që vjen çfarë fondi do të akordohet për 2009 dhe deri sa do të jetë trualli që do të kompensohet për individët?
Përsa i përket praktikës që do të ndiqet për kompensimin e vitit që vjen, të gjithë personat që kanë një vendim të komisioneve të ndryshëm për kthimin dhe kompensimin e pronës, ku në të shprehet për një pronë për tu kompensuar natyrisht që janë pretendues përsa i përket këtij kompensimi. Përsa i përket se përfitojnë apo jo nga fondi monetar, miratimi i një vendimi për shpërndarjen e fondit të kompensimit bëhet çdo vit, dhe natyrisht për këtë vit s ka dalë, dhe ky vendim përcakton dhe cilët përfitojnë, si do të bëhet përzgjedhja e tyre. Po ai vendim përcakton dhe afatet kur fillon regjistrimi i kërkesave po ashtu dhe kur mbyllet regjistrimi i kërkesave. Dhe, pa u bërë regjistrimi i kërkesave nuk mund të themi se këta janë personat që do të kompensohen. Në listë do të jenë vetëm ata që do të paraqesin kërkesë, meqjithë që kompensimi nuk ka qenë asnjëherë i plotë, por i pjesshëm deri në 200 m2 dhe për troje, edhe për këtë vit pritet të jetë po e njëjta praktikë, pra ajo e sipërpërmendura. Atëherë, lidhur me këtë, derisa kompensimi është i pjesshëm, pra vetëm për troje, natyrisht që duhet që secili i interesuar duhet të vijë të aplikojë dhe pastaj do të shikohet sesa i përmbush apo jo ato kërkesa që ka vendimi i Këshillit të Ministrave, sipas procedurës së përzgjedhjes së subjekteve të shpronësuara.
Për pronat në bregdet, a ka, apo ekziston një projekt, studim nga AKKP-ja për kthimin apo kompensimin e tyre?
Përsa i përket pjesës së kthimit të pronave, atë nuk e mbuloj unë. Ndërsa, për kompensimin pa u njohur prona nuk ka sesi të ketë kompensim, pra s ka vendim, nëse nuk ka një vendim është një problem që i përket drejtorisë tjetër që është ajo e apelimit dhe e kthimit.
A ka kërkesa nga ish-pronarë në degët e AKKP apo në drejtorinë tuaj, përsa i përket kompensimit në zonën e bregdetit?
Kërkesat që vijnë bëhen sipas një afati të përcaktuar dhe procedurave që miratohen nga vendimi i Këshillit të Ministrave, derisa nuk është hapur ky problem, pra s ka vendim, natyrisht që nuk ka kërkesa.
Pra, këta ish-pronarë të cilët presin kompensimin duhet të ngelen peng deri sa të dalë një vendim?
Unë jua shpjegova që kompensimi nuk bëhet pa një vendim të qeverisë, i cili përcakton shpërndarjen e fondit të kompensimit. Për vitin që vjen nuk ka dalë akoma, se çfarë do të përfshijë ai vendim do ta përcaktojë vetë vendimi. Ne do të zbatojmë çfarë do të përshkruaj ai vendim.
Cilat janë problemet që ka hasur AKKP-ja në procedurën e shpërndarjes së fondeve, përsa i përket konflikteve me pronësinë, për kompensim tek ata individë, të cilët tashmë janë në listën e vendosur nga Qeveria?
Përsa i përket konflikteve nuk na përkasin ne. Ne zbatojmë të gjitha vendimet që ka lëshuar secili komision, përsa i përket pronës, e cila ka qenë e pamundur për t u kthyer. Konfliktet, që na vijnë janë ato të problemeve të njohjes së pronës, një problem i cili është i drejtorisë tjetër asaj të kthimit. Përsa i përket kompensimit për 2008, ndryshe nga ajo e viteve të kaluara këtë vit përfitojnë të gjithë personat nga gjithë vendi dhe jo vetëm në qytete të caktuara.

Toro për legalizimet

Ish-pronarët: Çmimi i tregut e vetmja zgjidhje për qeverinë

Shoqata e ish-pronarëve “Pronësi dhe Drejtësi” në një prononcim për “Ballkan” i ka bërë thirrje dhe një herë qeverisë shqiptare të gjejë një zgjidhje përfundimtare për ish-pronarët që janë zaptuar nga individë në zonat informale në gjithë vendin. Kryetari i kësaj shoqate Agim Toro ka thënë se: “Kemi mbi dhjetë vjet që e themi, nëse nuk zgjidhet paraprakisht problemi i ish-pronarëve nuk mund të ketë legalizime. Duhet të kemi parasysh se në ligjet themelore të kapitalizmit, një pronë fitohet nëpërmjet një trashëgimie, dhurimi, apo nëpërmjet blerjes. Vetëm në Shqipëri ka dalë dhe kjo metoda e fundit që një tokë mund të fitohet edhe duke e zaptuar, duke abuzuar mbi ligjin. Dhe politika shqiptare kërkon që përsëri t i legalizojë këto zaptime të tokave. Ne si shoqatë po e themi me shumë forcë, dhe plotësisht të bindur në plotësimin e kërkesës tonë. Që nuk mund të ketë legalizim nëse nuk zgjidhet paraprakisht problemi me pronarin e tokës, që do të thotë që pronari i tokës të cilit i hiqet titulli i pronësisë duhet të dëmshpërblehet për ketë tokë. Që të ndodhë kjo duhet të dalë vlera dhe me çfarë do të shpronësohet, pra me një tokë në vend tjetër apo me vlerë monetare. Çmimi i kësajë toke duhet të jetë i pranueshëm nga pronari dhe njëkohësisht duhet të jetë i ekzekutuar, pra këto para të depozitohen në numrin e llogarisë së pronarit, që do të shpronësohet. Dhe, pas këtij procesi i lind e drejta atij që bëhet pronar, shtetit apo ALUIZNI-t, në mënyrë që ai më pas ta tjetërsojë ta dhurojë apo t ja shesë një individi tjetër. Dhe unë jam i bindur se nëse do të ulemi me këmbë në tokë do të konstatohet që vlera e kompensimit të subjekteve të shpronësuar ose pronarëve në këtë rast do të jetë shumë e lartë. Për të vërtetuar atë që legalizim me të falur nuk mund të ketë. Nëqoftë se ata njerëz që janë përkrahur deri më sot nga politika kërkohen të legalizohen, zgjidhja jonë e vetme është çmimi i tregut. Në mënyrë që as taksapaguesi shqiptar, kushdo qoftë ky të mos cenohet në xhepin e vet për të paguar pronarët, por njëkohësisht që dhe shtetasit shqiptarë të kuptojnë që ligji themelor i kapitalizmit është prona, që duhet mbrojtur në të kundërt ne nuk do të jemi kurrë më pjesë e Evropës, ashtu siç nuk jemi dhe sot e kësaj dite. Do të jemi vendi i fundit që do të ngelemi jashtë Evropës për arsyen e thjeshtë se nuk respektojmë dhe mbrojmë pronën. Ky është qëndrimi shoqatës, duke pasur parasysh që çdo individ që preket nga legalizimet ka të drejtë vet personalisht të pranojë apo jo çmimin që i jepet dhe ai detyrimisht duhet të ketë të drejtë t i drejtohet gjykatës në mënyrë që të vendoset drejtësia. Nuk mund ta vendosë drejtësinë as institucionet shtetërore dhe as shoqata në mënyrë apriori. Këto vendime ja kemi bërë të qarta me shkrim Parlamentit në mënyrë që ky problem të gjejë zgjidhje. Por kam frikë se do të përsëritet historia e 4-5 ligjeve të tjera që janë miratuar për legalizimet, të cilat nuk kanë vepruar për arsyen e thjeshtë se nuk kanë zgjidhur dot çështjen e pronësisë. Dhe, pse qeveria e sotme ka miratuar dy ligje në parlametnt për legalizimet dhe me ndryshimet e fund përsëri nuk është zgjidhja e fundit, dhe natyrisht po nuk u gjet zgjidhja për ish-pronarët nuk mund të ketë zbatim ky ligj”, përfundoi Toro.

Shaban Memia
Ndryshimet në ligjin e legalizimeve vlerësojnë pronarët e ligjshëm
Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), Shaban Memia, i ka cilësuar ndryshimet e në ligjin e legalizimit, të mirtuara në qershor nga Kuvendi i Shqipërisë, si mjaft të rëndësishme për pronarët legjitimë. "Ligji i ndryshuar për legalizimin e zonave informale i jep të drejtën që meriton pronarëve legjitimë, si atyre që do të kompensohen para këtij procesi dhe atyre që kanë të drejtë ekskluzive për ta zhvilluar pronën e tyre brenda vijës së verdhë", vlerësoi kreu i ALUIZNI-it. Sipas tij, ligji i ri i ndryshuar për legalizimet është sjellë në frymën e Kushtetutës dhe është thjeshtuar nga burokracitë, duke i dhënë të drejtën që meritojnë pronarëve legjitimë. Ai shpjegoi se sipas këtij ligji, pronarët legjitimë do të kompensohen për sipërfaqen që i është zënë, ndërsa atyre u lihen në dispozicion të gjitha territoret që janë të pazëna dhe për të gjitha territoret brenda vijës së verdhë pronari ka të drejtën ekskluzive të zhvillimit urban të tyre. Memia theksoi se implementimi i teknologjive të reja do t i japë një zgjidhje të përhershme regjistrimit të pasurive, si dhe menaxhimit e kontrollit të territorit. "Mundësohet përcaktimi në mënyrë korrekte i gjithë pozicioneve gjeografike dhe gjithë treguesve ekonomiko-financiarë, pasurisë dhe shfrytëzimit gjerësisht nga qytetarët të një database. Është kusht i domosdoshëm riazhornimi i të gjithë titujve të pronësisë në Shqipëri në funksion të përcaktimit në mënyrë korrekte të pozicionit gjeografik, në raport me koordinatat përkatëse", sqaroi drejtori i ALUIZNI-t. Teknologjia e implementuar do ta çojë në zero deformimin dhe aferat korruptive në këtë fushë, shtoi ai, ndërkohë që në muajin shtator do të bëhen publike të dhënat e pasurive të deklaruara, të cilat do të jenë dhe objekt i vetëm i procesit të legalizimit.

Ky lajm është publikuar: 11/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›