E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha merr pjesë në Kongresin e PPE-së, Varshavë

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partive Popullore, në Varshavë të Polonisë, i cili i zhvillon punimet në datat 29-30 prill. Në punimet e këtij Kongresi të Jashtëzakonshëm do të diskutohet gjerësisht mbi përmbajtjen e Manifestit mbi zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian dhe hapjen e fushatës zgjedhore. Berisha është i ftuar të mbajë një fjalim në Kongres, mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushën e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe shfrytëzimit të burimeve energjetike. Më shumë se 2700 pjesëmarrës ndodhen tashmë në Varshavë, ku mes tyre Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering. Në Kongres marrin pjesë liderë të shteteve dhe qeverive si Donald Tusk, Fransua Fillon, Angela Merkel, Kostas Karamanlis, Jan-Peter Balkenende, Zhan-Klod Junker, Silvio Berluskoni, Ivo Sanader, Nikola Gruevski, Mikhail Saakashvili, Janez Jansa, Mariano Reju. Kongresi do të udhëhiqet nga Presidenti i PPE-së, Uilfrid Martens, dhe do të jetë një eveniment i rëndësishëm politik për të hapur fushatën zgjedhore dhe për të shpjeguar në elementë Manifestin, në përbërje të të cilit do të jenë propozime dhe ide të ndryshme në ndihmë të zgjidhjes së shumë problemeve të qytetarëve, veçanërisht në lidhje me krizën ekonomike botërore. Kryeministri shoqërohet në këtë aktivitet edhe nga Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike dhe deputeti Tritan Shehu.
Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›