E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjvënësit, të parët që thyejnë hapur ligjet

Nga L.Progni

Deputetët vazhdojnë të votojnë për shokët e tyre

Lëvizja “Mjaft!” publikoi përfundimet e studimit “Unë Votoj”, me të dhëna për sjelljen e deputetëve në seancat e Kuvendit.

Sipas kësaj lëvizjeje, mbetet shqetësues fakti që edhe gjatë dy sesioneve të kaluara parlamentare, me gjithë ndryshimet teknologjike të ndërmarra nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, vazhdojnë shkeljet e rregullave te përcaktuara për mënyrën e votimit të deputeteve. “Janë 15 deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare që kanë shkelur nenin 57, pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet në mënyrë të qartë që “votimi është vetjak” dhe që “e drejta e votës nuk delegohet”. Theksojmë që disa prej këtyre deputetëve e kanë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme këtë shkelje, pra kanë votuar për kolegun në më shumë së një rast. Si rrjedhojë e kryerjes së kësaj shkeljeje procedurale vihet në pikëpyetje ligjshmëria e 16 nismave ligjore (disa prej deputetëve kanë votuar për kolegun gjatë votimit për prezencën në sallën e parlamentit)”, - thuhet në studim.

Bie pjesëmarrja e deputetëve në seanca

Në hapësirën kushtuar prezencës së deputeteve në punimet parlamentare, vihet re një rënie e pjesëmarrjes në Kuvend. Dy sesionet paraardhëse mesatarja e pjesëmarrjes së deputeteve në Kuvend ka qenë përkatësisht 78% dhe 82%, ndërsa gjatë vitit parlamentar 2008, vërehet një rënie me 6.4% në raport me sesionet paraardhëse duke bërë që mesatarja e pjesëmarrjes së përgjithshme në Kuvend të jetë 75.6%. Së fundi, po në kuadër të pjesëmarrjes në veprimtarinë parlamentare mbetet shqetësues fakti që dhjetë deputetë nuk kanë qenë të pranishëm në më shumë se gjysmën e vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës plenare.

Komisionet e Kuvendit kalojnë ligjet pa kuorum

Një tjetër shkelje e një rëndësie të madhe dhe që gjithashtu vë në pikëpyetje ligjshmërinë e nismave ligjore të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë është ajo e nenit 34 pika 1 dhe 2, ku përcaktohet që “mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të komisionit” dhe “vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të komisionit”. Gjatë vitit 2008 janë zhvilluar në kushtet e dhunimit të procedurave të përcaktuara 58 mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare, në të cilat janë marr vendime dhe janë miratuar për kalimin në seancë plenare një numër i madh projektligjesh, të cilat duhet të ishin shpallur të pavlefshme për mungesë kuorumi gjatë miratimit të tyre në komisionet përkatëse.

Nga monitorimi i komisioneve parlamentare nga skuadra “Unë Votoj”, gjatë sesionit të gjashtë dhe të shtatë të legjislaturës së XVII, ka pasur shkelje të rënda, të përsëritura të Rregullores së Kuvendit në nenin 34 për kuorumin dhe vendimmarrjen në komision, pikat 1 dhe 2, si dhe në nenin 35, pikat 1 dhe 2.

Dy grupe parlamentare me nga 6 deputetë, rregullorja parashikon 7

Shkelje tjetër e Rregullores dhe procedurave të organizimit dhe funksionimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë është vënë re në mënyrën e organizimit të grupeve parlamentare. Janë dy grupe parlamentare, grupi agrar-ambientalist dhe ai Qendra Demokrate, që janë organizuar në kushte të shkeljes së plotë të kritereve të përcaktuara në nenin 15 të Rregullores, këto grupe përbëhen nga 6 deputetë, në një kohë që Rregullorja sanksionon përbërjen e çdo grupi parlamentar nga minimalisht 7 deputetë.

Vetëm 8 për qind e nismave ligjore përputhet me kërkesat e qytetarëve

Për sa i takon qasjes së mënyrës së votimit të nismave ligjore me premtimet zgjedhore, nga monitorimi i 161 çështjeve gjatë seancave plenare, rezulton se Partia Demokratike përmes grupit të saj parlamentar ka arritur të qasë me platformën e saj elektorale 32 nisma ligjore nga 161, d.m.th., 19% të totalit të ligjeve, një shifër kjo më e madhe se 16% e sesioni të kaluar, por gjithsesi tepër e ulet për një parti që ka mazhorancën parlamentare. Grupi parlamentar i Partisë Republikane ka arritur të prekë platformën e premtimeve zgjedhore me 45 nga 161 nisma ligjore, ose 28% të këtyre nismave

të monitoruara. Edhe kjo parti shënon një rënie në qasjen e nismave ligjore me premtimet zgjedhore, krahasuar me sesionin e kaluar, ku niveli i qasjes ishte 32.1%.

Për sa i takon krahasimit mes mënyrës si kanë votuar deputetet dhe shqetësimeve që qytetarët shqiptarë kanë identifikuar si më të rëndësishme (sipas sondazheve), janë vetëm 14 nisma ligjore që qasin këto probleme, nga 161 që ka monitoruar skuadra “Unë Votoj”, gjatë këtij viti parlamentar. Kjo shifër përbën 8.7% të të gjithë nismave, çka shënon një rënie në raport me 25.5% shënuar në sesionin paraardhës.

Deputetët flasin në celular në seanca, në kundërshtim me ligjin

Një tjetër veprim në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit është ai i bisedave me telefona celularë gjatë zhvillimit të seancave dhe komisioneve parlamentare. Sipas nenit 67 për paraqitjen në seancë plenare dhe në komisione, përcaktohet shprehimisht: “Deputetët, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe seancës plenare, paraqiten me veshje zyrtare dhe nuk duhen të përdorin telefonat e lëvizshëm”. Gjatë monitorimit të skuadrës “Unë Votoj” është vënë re se ky rregull nuk zbatohet nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në seanca konsumohet duhan duke thyer ligjin

Gjithashtu është vënë re se deputetët konsumojnë produkte duhani në ambientet ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve dhe seancat plenare. Sipas ligjit nr. 9636, datë 06.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” (i cili ka hyrë në fuqi në datën 26.05.2007), në nenin 15 të tij ndalohet pirja e duhanit në: a) mjediset e punës; b) institucionet shëndetësore, me përjashtim të institucioneve të shëndetit mendor (vetëm për pacientët); c) institucionet arsimore; ç) mjetet e transportit publik; d) mjedise tregtare, bare, restorante, diskoteka dhe klubet e natës; dh) mjedise të tjera publike. Në mjediset/institucionet e mësipërme nxirret një rregullore e brendshme, ku theksohet ndalimi i pirjes së duhanit në këto mjedise dhe përcaktohet qartë personi, i cili do të jetë përgjegjës për rastet e shkeljes së këtij ndalimi nga çdo person.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›