Ish-pronarët bashkohen me Polin e Lirisë
Dy muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, partitë politike kanë hedhur sytë nga ish-pronarët për të siguruar votën e tyre. Ndërsa demokratët dhe republikanët pretendojnë se e kanë votën e tyre, pronarët e tokave thonë se janë të zhgënjyer prej tyre dhe se nuk do ua japin më votën. Sipas tyre, këto vite të qeverisjes së tyre është rritur abuzimi me pronat dhe konfuzioni në lidhje me kthimin e tyre.
Poli i Lirisë
Shoqata “Pronësi me drejtësi”, që është një nga strukturat kryesore që organizon ish-pronarët, ka shpallur dje se do bashkohet me koalicionin Poli i Lirisë.
“Ne vendosëm përfshirjen e kësaj shoqate në listat e deputetëve të LZHK në votimet e përgjithshme”, - u shpreh kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.
Sipas tij, çështja e pronave në 18 vitet e fundit është përdorur si demagogji nga partitë kryesore, janë regjistruar abuzime të mëdha, ndërsa pronarët janë lënë gjithnjë në harresë.
“Kthimi dhe kompensimi i pronave është një prej prioriteteve të Polit të Lirisë”, - theksoi Shehi.
Ndërkohë, sekretari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, theksoi se ky organizëm nuk do të jetë kurrë parti politike, por është i domosdoshëm përfaqësimi në Kuvend i shtresës së pronarëve.
“Zgjidhjen nuk e japin dot partitë kryesore, pasi në gjithë këto vite, me pronat tona blenë votat”, - u shpreh Toro, i cili shpalli kandidaturën për deputet në qytetin e Durrësit.
Socialistët
Partia më e madhe e opozitës sulmoi sot mazhorancën se nuk ka bërë asgjë për pronarët. Sipas tyre, çështja e pronave vetëm sa është komplikuar më shumë këto vite.
“Pronarët dhe sipërmarrësit shqiptarë sot janë më të pasigurt sesa 4 vite më parë në investimet e tyre, pikërisht për shkak të çështjes së pronës.
Sot ne konstatojmë se pronarët shqiptarë janë praktikisht shumë më larg marrjes së pronës së tyre sesa katër vite më parë. Janë shumë larg, sepse korrupsioni qeveritar nga njëra anë dhe gënjeshtrat politike të Sali Berishës nga ana tjetër kanë bërë që prona të largohet çdo ditë e më shumë nga dora e pronarit të vërtetë.
Sali Berisha, megjithëse i rrëmbeu dhunshëm kompetencën gjykatave, duke lejuar Zyrat e Regjistrimit të saktësonin kufijtë e pronave, nuk zgjidhi asnjë konflikt. Përkundrazi, shtoi konfuzionin dhe abuzimin me të drejtën e pronës në vend. Zyrat e regjistrimit të pasurive, sipas TI sot janë burimi kryesor i konflikteve të pronësisë. Kështu do të përfundonte kjo çështje, në kushtet kur gjykatat janë të përjashtuara dhe sistemi unik i regjistrimit nuk funksionon ende.
Është kjo arsyeja që shumica e fermerëve sot në gjithë Shqipërinë nuk e posedojnë dokumentin zyrtar të regjistrimit të tokës bujqësore të përfituar sipas Ligjit 7501”, - tha kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ligjeve dhe Administratës, Ylli Manjani.
Sipas tij, zgjidhja e kësaj çështjeje do të vijë vetëm nga PS.
“PSSH shpreh edhe njëherë besimin se zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës do t’i takojë qeverisjes së saj të paszgjedhjeve. Në vizionin tonë zgjidhja e kësaj çështjeje ka rëndësi kombëtare dhe strategjike. PSSH e sheh zgjidhjen e kësaj çështjeje nëpërmjet harmonizimit të interesave të pronarëve me ato të të gjithë shqiptarëve. Në këtë funksion dialogu social dhe qeverisja konsensuale e shqiptarëve të pas 28 qershorit do ta zgjidhë këtë çështje përfundimisht”, - tha Manjani.