E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët abandonojnë PR-në, i bashkohen “Polit të Lirisë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Zgjedhjet, koalicionet

Shoqata e ish-pronarëve Pronësi me Drejtësi , e përfaqsuar nga kryetari, Rrapo Danushi, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Agim Toro, i është bashkuar dje me kandidatë për deputetë koalicionit të djathtë Poli i Lirisë , duke i dhënë fund kështu njëherë e përgjithmonë bashkëpunimit të tyre disa vjeçar me Partinë Republikane. Kryetari i shoqatës së të Shpronësuarve, Rrapo Danushi, në fjalën e tij sulmoi drejtpërdrejt PR-në, duke u shprehur se ish-pronarët e kanë marrë këtë vendim politik, pasi ndihen të tradhtuar nga interesat politike të partive të tjera të djathta, të cilat asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht në konsideratë çështjen e pronësisë. “Kjo është një lëvizje për t i dhënë përgjigje asaj force politike që shfrytëzoi për rreth 18 vjet këtë shtresë dhe për t i treguar se tashmë nuk do të marrë asnjë votë nga ish-pronarët”. Koalicioni politik “Poli i Lirisë” ka nënshkruar një marrëveshje me shoqatën “Pronësi me Drejtësi” për të qenë pjesë e këtij koalicioni zgjedhor në kuadrin e procesit elektoral të 28 Qershorit. Në emër të këtij koalicioni, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se “shoqata Pronësi me Drejtësi është e mirëpritur në Polin e Lirisë, si një kategori e shpërfillur nga qeverisja e djathtë. Partitë politike nuk i mbajtën premtimet lidhur me pronat dhe çështja e tyre asnjëherë nuk u arrit të zgjidhej ashtu siç u premtua”,- u shpreh Shehi. Gjithashtu, në bazë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar sqaroi më tej Shehi se “përfaqësuesit e kësaj shoqate do të bëhen pjesë e listës së deputetëve për deputetë të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Për ne përfaqësuesit e koalicionit Poli i Lirisë”, zgjidhja e çështjes së pronësisë në Shqipëri dhe në veçanti kthimi dhe kompensimi i pronës pronarëve të ligjshëm, përbën një ndër prioritetet kryesore politike. Qëndrimi i dy partive të mëdha, PD dhe PS, ndaj pronarëve të ligjshëm ka qënë thjesht demagogji dhe mashtrim”. Përfaqësuesi i shoqatës Pronësi me Drejtësi , Agim Toro, u shpreh se “shoqata jonë nuk shndërrohet në parti politike, por bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor Poli i Lirisë , duke vendosur të bashkojë votat me të në kuadrin e një zgjidhjeje të çështjes së pronës”,- përfundoi Toro. Si pjesë e koalicionit Poli i Lirisë ka folur edhe Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili deklaroi se “Për ne është një moment shumë i rëndësishëm që përfaqësuesit e Shoqatës Pronësi me Drejtësi do të konkurrojnë në qarqet kryesore të vendit përkrah koalicionit Poli Lirisë , si i vetmi koalicion politik që përfaqëson dhe mbron interesat e ish-pronarëve dhe të të ish-dënuarve politikë", - tha Ndoka.

Kandidatët - Zonat e ish-pronarëve
Marrëveshja e nënshkruar parashikon që përfaqësuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi", të cilët do të jenë të gjithë kandidatë si përfaqësues të LZHK-së, do të futen në listat e deputetëve, përkatësisht, të parët në qarkun e Durrësit, të dytët në Tiranë dhe Vlorë, Shkodër, Fier dhe Korçë.

Reagimi
PR: “Lëvizje për interesa personale”
Reagimi i Partisë Republikane ka qënë i menjëhershëm pas futjes në koalicionin “Poli i Lirisë” të ish-pronarëve dhe shoqatës Pronësi me Drejtësi , duke deklaruar se kjo lëvizje ka qenë për interesa personale. Kreu i Grupit Parlamentar Republikan, Arjan Madhi, në një dalje para medias, pas bërjes publike nga ish-pronarët të kalimit me koalicionin e djathtë të Ndokës dhe Shehit, deklaroi: "Me gjithë vlerësimet që kemi për shoqatën "Pronësi me Drejtësi" duhet të pohojmë që kritikat e disa individëve të saj ndaj veprimtarisë së Partisë Republikane për çështjen e pronave inspirohen nga qëllimet e interesit të tyre të ngushtë politik. Ne shprehim me bindje se deklaratat e tyre hera-herës dhe denigruese, jo vetëm nuk i kontribuojnë procesit të mirëkuptimit politik, i cili garanton dhe suksesin, por dhe se nuk përfaqësojnë gjykimin e shumicës të interesit të pronarëve të ligjshëm",- tha Arian Madhi, nënkryetar i PR-së.
Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›